Akuza të ndërsjella për mbylljen e dy linjave hekurudhore të Kosovës

E publikuar: 22/08/2017 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Linjat hekurudhore Prishtinë-Pejë, dhe ajo e Hanit të Elezit vazhdojnë të jenë të mbyllura. “Trainkos”, ndërmarrja e cila i menaxhon linjat hekurudhore në Kosovë, mbeti pa asnjë cent, raporton KTV.

1.3 milion eurot e ndara u shpenzuan dhe linjat hekurudhore për qytetarët nga 3 gushti u ndalën, e kështu do të mbesin deri në rishqyrtimin eventual të buxhetit të Kosovës.

Ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi, i ka thënë KTV-së se rishikimi i buxhetit nuk është bërë, andaj këto mjete nuk mund t’i mbulojë askush.

Derisa paraardhësi i tij, Lutfi Zharku, kishte akuzuar vetë ndërmarrjen për keqmenaxhim të buxhetit. Por, faji këtë radhë kthehet si bumerang në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kryesuesi i bordit të drejtorëve në TrainKosi, Sadik Kryeziu, thotë se Ministria nuk e respektoi as marrëveshjen për mbështetjen financiare, e cila parashihte ndarjen e shumës deri në 2.6 milionë euro për funksionim stabil të ndërmarrjes.

Pavarësisht që Auditori i Përgjithshëm gjeti disa-dhjetëra keqpërdorime në ndërmarrjen e Trenave, Kryeziu thotë se u keqkuptuan, pasi ato nuk ishin keq-menaxhuar, por kishte mospërputhje të dokumenteve. Mbi 5 milionë euro humbi këtë vit TrainKosi, humbje të cilat që kanë ndikuar edhe në prishjen e marrëveshjeve me partnerët privatë. Por, bazuar në atë që thotë kryesuesi i bordit të drejtorëve në TrainKos, tashmë është rilidhur kontrata me Feronikelin, për bartjen e nikelit jashtë vendit, por jo me çmimin që kishte më parë.

Ligji për hekurudhat e Kosovës, neni 130, pika 4 dhe 5, parasheh se marrëveshja mes Trainkos-it dhe Ministrisë së Infrastrukturës duhet të jetë nga 3 deri në 15 vjet dhe se të gjitha shpenzimet duhet të mbulohen nga ky dikaster. Por, zyrtarët e TrainKosit thonë se asnjëherë nuk kanë lidhur kontratë më të gjatë se 12 muaj.