Akuza për kurdisje të konkursit për staf akademik në Fakultetin e Inxhinierisë

E publikuar: 01/02/2020 08:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Akuza për konkurs të kurdisur për staf akademik në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) ka drejtuar kandidati për mësimdhënës të disa lëndëve në këtë njësi akademike, Faton Maliqi.

Ai po e akuzon Fakultetin se bashkë me komisionin recensues e planifikuan konkursin e fundit të UP-së për persona të caktuar, shkruan sot Koha Ditore.

Në konkursin e datës 22 tetor të vitit 2019, ai ka konkurruar për mësimdhënës në lëndët: “Përpunimi digjital i sinjaleve”, ”Sisteme transmetuese”, ”Përpunimi statistikor i sinjaleve dhe zbatimet”, ”Përpunimi digjital i imazhit”, ”Komprimimi i të dhënave” dhe ”Performancave e rrjetave”.

Maliqi, i cili 8 vjet ka ligjëruar si asistent në lëndët “Përpunimi digjital i sinjaleve” dhe “Përpunimi statistikor i sinjaleve dhe zbatimet”, thotë se komisioni padrejtësisht ia mori këto dy lëndë dhe ia dha kandidates tjetër, Hëna Maloku, ndonëse, sipas tij, ajo nuk ka përvojë në ligjërimin e tyre. Në konkursin e fundit, UP-ja e ka shpallur vetëm një pozitë për mbajtjen e gjashtë lëndëve në FIEK, për çka komisioni e ka propozuar kandidaten Maloku. Këto gjashtë lëndë për të cilat është shpallur konkursi kanë qenë të tre profesorëve, Ilir Limani, i cili ka ndërruar jetë, Rexhep Hasani, që është pensionuar vitin e kaluar, dhe Salem Lepaja, që është afër pensionimit. Lëndët e tre profesorëve janë bërë bashkë dhe për ligjërimin e tyre Fakulteti ka kërkuar vetëm një kandidat. Kështu, kandidatit Maliqi, që ka qenë asistent i profesorit Ilir Limani, i janë marrë lëndët që i ligjëroi disa vjet.

Sipas tij, një gjë e tillë është e padrejtë pasi, siç është shprehur, Fakulteti pati mundësi t’i shpallë dy pozita dhe jo një t’ia japë të gjitha një personi.

Maliqi, i cili ka përfunduar studimet e doktoratës në Laboratorin e Sinjaleve dhe Sistemeve (L2S), pjesë përbërëse e Universitetit Paris-Sud, CentraleSupelec dhe CNRS në Paris, po e akuzon komisionin se, përveç tjerash, në raportin vlerësues ia fshehu arritjet e tij. Kryetar i komisionit ka qenë Luan Ahma, ndërkaq anëtarë Myzafere Limani dhe Bujar Krasniqi. Sipas kandidatit Maliqi, komisioni ia hoqi arritjet nga raporti vlerësues me qëllim të eliminimit nga gara.

“Si është e mundur të fshihen të dhënat themelore të kandidatit?! Kjo fshehje është e pajustifikueshme. Referati im mbetet i vetmi që i fshihen të dhënat e tërësishme të edukimit. Jam i bindur që kjo fshehje paraqet shkelje të rëndë materiale, dhe si e tillë duhet të sanksionohet së pari nga vetë UP-ja. Madje, paraqet bazë të mjaftueshme për vepër penale, të cilën edhe jam duke e shqyrtuar”, ka shtuar ai…..(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)