Akuza për keqtrajtim të familjes Coleman- Boyle nga grupi terrorist Haqqani

E publikuar: 14/10/2017 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familja amerikano- kanadeze e liruar në Pakistan këtë javë, pas pesë vjetësh e mbajtur peng, ka thënë se vajza e saj është vrarë, dhe sipas bashkëshortit, gruaja e tij ishte dhunuar seksualisht nga grupi terrorist Haqqani.

Shtetasja amerikane, Caitlan Coleman, dhe bashkëshorti i saj kanadez, Joshua Boyle, ishin rrëmbyer gjatë një udhëtimi në Afganistan në vitin 2012. Derisa mbahej e rrëmbyer, familjes Coleman – Boyle i kanë lindur tre fëmijë.

Me të arritur në Toronto, në një deklaratë për media, Boyle tha se “ budallallëku dhe e keqja e rrjetit Haqqani në rrëmbimin e pelegrinëve, është errësuar me vrasjen e vajzës time të mitur”.

Sipas Boyle, bashkëshortja e tij ishte dhunuar seksualisht nga një roje dhe eprori i tij. Ai i ka bërë thirrje qeverisë afgane që t’i sjellë keqbërësit para drejtësisë.

Boyle nuk ka dhënë shpjegime shtesë për vrasjen apo dhunimin e bashkëshortes së tij.

Ushtria e Pakistanit ka njoftuar të premten se familja është liruar gjatë një operacioni në rajonin veriperëndimor, Kurram, afër kufirit me Afgansitanit, pasi ushtria kishte marrë informacione të inteligjencës nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.

Grupi terrorist, Haqqani kishte publikuar video të çiftit derisa mbahej peng.

Në videon e fundit, të publikuar në dhjetor të vitit 2016, shihej çifti me dy djemtë, derisa Coleman e cila ishte shtatzënë në atë kohë, bënte thirrje që “ ankthi” i tyre të merrte fund.

Lirimi i familjes amerikano-kanadeze erdhi në kohën kur Uashingtoni dhe Islamabadi ndajnë raporte jo të mira me njëri- tjetrin.

SHBA-ja ka akuzuar Pakistanin se nuk po bën mjaftueshëm për t’i luftuar militantët të cilët operojnë brenda Afganistanit, akuzë e cila është hedhur poshtë nga Afganistani.

Ushtarët pakistanezë kanë bërë të ditur se suksesi i këtij operacioni “nënvizon rëndësinë e angazhimit të Pakistanit për të luftuar kërcënimet, dhe bashkëpunimin në mes të dy forcave kundër një armiku të përbashkët”.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara, duke punuar në mënyrë të koordinuar me Qeverinë e Pakistanit, e kanë siguruar lirimin e familjes Boyle-Coleman nga rrëmbimi në Pakistan”, tha në deklaratën e tij, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe vlerësoi se operacioni i shpëtimit është “moment pozitiv” për raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit.

“Ne shpresojmë të kemi bashkëpunime të ngjashme për të liruar pengjet tjera dhe për një të ardhme të përbashkët kundër terrorizmit”, shtoi Trump.

Sekretari i Shtetit, Jim Mattis, ka lavdëruar Pakistanit për misionin e suksesshëm dhe të rrezikshëm, në të cilin janë vrarë rrëmbyesit e grupit Haqqani.

“Ky është një moment pozitiv dhe ushtria e Pakistanit kanë performuar mjaft mirë”, tha Mattis për gazetarët.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystina Freeland, ka thënë se qeveria ishte “lehtësuar” që familja është liruar dhe është shëndosh, duke falënderuar SHBA-të, Afganistanin dhe Pakistanin për përpjekjet e tyre.

Ndërsa, çifti i shpëtuar, ka falënderuar ushtarët pakistanezë që “rrezikuan jetët e tyre” për t’i shpëtuar ata.

Përgatiti: Linda Gjokaj