Aktivizohet Veseli: Kërkesa e Kurtit te ndërkombëtarët për ta zbutur reagimin e opozitës është qëndrim i ulët

E publikuar: 26/02/2020 11:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha sot se ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb, ndërsa sipas tij, paragjykimet për këto dy tema, janë standard i vënë nga vetë ai dikur.

Veseli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se edhe loja me ankesa dhe kërkesa te ndërkombëtarët, për ta zbutur reagimin e opozitës, në çështjet si heqja e taksës dhe dialogut, është qëndrim i ulët i Kurtit.

Lexoni të plotë postimin e Veselit në Facebook:

“Ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb. Paragjykimet për këto dy tema, në fakt, janë standard i vënë nga vetë ai dikur.

Ky debat në publik i duhet pikërisht atij, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore. Por, kjo nuk i duhet sot Kosovës.

Kjo qasje i duhet vetëm Kryeministrit për të evituar debatin publik për mungesën e programit qeverisës, për shkeljen e premtimeve të tij elektorale para qytetarëve, për mungesën e guximit vendimmarrës dhe për shumëçka tjetër.

Por, të gjitha këto, përveç vonesës dhe manipulimit për interesa ditore, nuk zgjidhin asnjë çështje jetike të qytetarëve të këtij vendi.

Edhe loja me ankesa dhe kërkesa te ndërkombëtarët, për ta zbutur reagimin e opozitës, në çështjet si heqja e taksës dhe dialogut, është qëndrim i ulët i Kurtit.

Kryeministri duhet të qartësohet, dhe të mos ikë e manipulojë”, shkruan Veseli.