Aktakuzë për terrorizëm kundër imamit Shefqet Krasniqi

E publikuar: 27/02/2017 12:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e  Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit imamit Shefqet Krasniqi, për veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste, Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, dhe Shmangia nga Tatimi sipas Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale: Shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2013 dhe 2014, ndërsa, veprën penale Shmangia nga Tatimi ka kryer në vazhdimësi gjatë intervalit kohor 2011 dhe 2016.

“Sipas aktakuzës i pandehuri në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij tё drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë tё tjerёt ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.

I pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej  20,208.57 €.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të  Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.