Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

E publikuar: 23/08/2019 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.G., në cilësi të personit zyrtar – Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 dhe 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari A.G., me datë 03.10.2017, në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj, dhe njëkohësisht i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për ujërat e Kosovës dhe nenin 12 paragrafi 1.3 të Udhëzimit administrativ për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të ujë-rrjedhave dhe akumulacioneve. Kështu, i akuzuari A.G., ditën kritike derisa po inspektonte objektin në ndërtim nga investitori H.K., pa fakte, konstaton në procesverbalin për inspektimin e kryer, se investitori ka respektuar pikat e kadastrit, duke i mundësuar investitorit të bëjë ndërtimin e objektit në në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke i mundësuar H.K., të uzurpojë një sipërfaqe prej rreth 155 metrash katror të pasurisë shoqërore në të cilën e ka ndërtuar një pjesë të objektit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.G., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë./Infosot/