Aktakuzë ndaj tre personave për shpërlarje të parave

E publikuar: 12/09/2019 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave me inicialet B.G., M.P dhe A.I., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri B.G., gjatë vitit 2012-2014, në vazhdimësi, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë se pasurisë se përfituar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, parat në shuma të mëdha të cilat i ka përfituar nga shitblerja e duhanit në mënyrë të kundërligjshme, i ka deponuar dhe transferuar në firma ndërkombëtare. Po ashtu, i pandehuri B.G., nga llogaria e tij rrjedhëse individuale ka realizuar transaksione në vlera të ndryshme.

I pandehuri B.G., këto veprime ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 32 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financim të terrorizmit.

Gjithashtu, të pandehurit B.G dhe M.P., në bashkëveprim gjatë vitit 2012, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë se përfituar, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale në shuma të mëdha të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G., në mënyrë të kundërligjshme, kanë vepruar së bashku, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, M.P., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G.

Me këto veprime dy të pandehurit B.G dhe M.P., në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 lidhu me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 32 paragrafi 2 nen paragrafi 2.1 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financim të terrorizmit.

Ndërkaq, të pandehurit B.G dhe A.I., në bashkëveprim gjatë vitit 2012-2014, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket e ligjshme, duke përfituar mjete materiale të cilat i ka përfituar i pandehuri B.G., në mënyrë të kundërligjshme nga shitblerja e duhanit kanë vepruar në atë mënyrë që, fillimisht i pandehuri A.I., duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit B.G., ka hapur llogari individuale dhe ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale të cilat ia kishte dhënë i pandehuri B.G., dhe nga llogaria e vet, llogari individuale fillimisht ka deponuar shuma të ndryshme të mjeteve materiale.

Me këto veprime, të pandehurit B.G dhe A.I., kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 32 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financim të terrorizmit.