Aktakuzë kundër 4 personave për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve në rastin e veteranëve të rrejshëm

E publikuar: 27/11/2018 14:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Skenderaj, kundër të pandehurve M.I, F.H, H.F dhe B.H në drejtim të veprave penale “Mashtrim”, nga neni 335 paragrafi 2, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 398 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria njofton se të pandehurit, në fillim të vitit 2018 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë paraqitur fakte të rreme duke lëshuar certifikata dhe vërtetime të veteranëve të luftës.

Po ashtu, të dyshuarit e lartë cekur kanë përpiluar dokumentacionin-certifikatat dhe vërtetime të veteranëve në emër të këtyre personave me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinale.

Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprat penale “Mashtrim”, nga neni 335 paragrafi 2, si dhe “Falsifikimi i dokumenteve’’, nga neni 398 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të njëjtit me këto veprime kanë dëmtuar rreth 60 persona, me ç`rast për një veprim të tillë kundërligjshëm kanë përfituar deri në 2500 €.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit./Infosot/