Aksioni i ATK-së në servisin e automjeteve

E publikuar: 17/07/2020 21:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompanitë në Kosovë vazhdojnë t`i mbajnë punëtorët e paregjistruar duke shmangur pagesat e tatimeve.

Disa javë më parë në KALLXO.com janë pranuar informacione për një biznes në rajonin e Podujevës, i cili kishte punëtorë pa kontrata pune.

Në raportim, biznesi që punon si autoservis pretendohej se kishte disa punëtorë pa kontrata pune.

Dy inspektorë të ATK-së nisen në drejtim të biznesit për ta verifikuar informacionin.

Situata e Pandemisë dhe premtimet për ndihmë financiare nga Qeveria kishin bërë që raportimet e qytetarëve për punëtorë pa kontrata të rriteshin në numër.

Përgjatë këtyre katër muajve pandemi platforma KALLXO.com, kishte pranuar dhe trajtuar mbi 100 raportime se në kompani të ndryshme punëtorët po punonin pa kontrata.

Informacionet ishin bartur në Administratën Tatimore të Kosovës dhe pas verifikimeve ishin konstatuar se një numër i madh i tyre nuk ishin të regjistruar.

Deri më tani nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com, ATK ka shqiptuar mbi 110 mijë euro gjoba për bizneset vetëm gjatë vitit 2020.