AKR-ja e dobët në Kuvend, e fortë në Qeveri

E publikuar: 07/02/2019 08:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, AKR-ja, ka mbetur me një deputet në Kuvendin e Kosovës, përderisa vazhdon t’i drejtojë katër ministri shumë të rëndësishme në Qeveri. Ky subjekt politik me tkurrjen në legjislativ rrezikon të tkurret edhe në ekzekutiv, shkruan sot Gazeta “Zëri”. 

Ish-deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, tashmë i është bashkuar Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndonëse vazhdon të jetë pjesë e partisë së zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Ky deputet ka lënë partinë e tij me vetëm një deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë pjesë e AKR-së, por brenda Kuvendit të Kosovës do të veprojë si pjesë e AAK-së.

AKR-ja nga zgjedhjet e fundit parlamentare ka dalë me katër deputetë, por aktualisht vetëm një nga ta është pjesë e Kuvendit dhe deri në fund të kësaj legjislature partinë e Behgjet Pacollit do ta përfaqësojë familjari i tij Islam Pacolli.