AKR e pranon dorëheqjen e Sefajt, i përgatit Raport Special Kryeministrit për gylenistët

E publikuar: 01/04/2018 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë të AKR’së kanë konfirmuar për Express se kanë pranuar kërkesën për largimin e Flamur Sefjat nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme. Por, para se të zyrtarizohet largimi, ministri do t’i dërgojë një Raport Special Kryeministrit Haradinaj se çka ka ndodhur me deportimin e 6 gylenistëve.

Përfundimisht, AKR është pajtuar që të pranojë kërkesën e Kryeministrit Ramush Haradinaj për ta larguar Flamur Sefajn nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Por, para se të ndodhë ky veprim, AKR ka paralajmëruar se do të dërgojë Raport Special Kryeministrit me gjithçka që ka ndodhur me dëbimin e gjashtë gylenistëve.

“Do të zbulohen të gjitha detajet e këtij veprimi. Do të shihet si është vepruar, nëse dikush ka keqpërdorë detyrën dhe detaje tjera. Kërkesa e Haradinajt është pranuar dhe z. Sefaj do ta pranojë kërkesën e Shefit të Qeverisë”, ka thënë njëri prej Nënkryetarëve të AKR’së, i cili s’ka dashur t’i përmendet emri.

Sipas tij, Sefaj dhe zyrtarët tjerë të AKR’së janë duke bërë hulumtim të detajuar se pse ka ardhur deri te deportimi i gylenistëve dhe cilat mekanizma institucional janë përfshirë.

“Do të shihet nëse ka pasur lëshime prej Ministrit, do të shihet nëse e kanë keqpërdorur z. Sefaj dhe detaje të tjera. Do të precizohen edhe kush ka qenë i përfshirë në gjithë këtë aksion”, ka shtuar ai.

“Largimi i z. Sefaj nuk do të ndodhë pa u sqaruar të gjitha detajet. Ai ka pranuar të largohet dhe ne do të hartojmë një Raport Special. Do t’i dërgohet Kryeministrit javën e ardhshme’, ka shtuar ai.

Pos Flamur Sejfat, Kryeministri Haradinaj ka kërkuar largimin edhe të Shefit të AKI’së, Driton Gashi. As ky i fundit ende nuk është larguar nga pozita e udhëheqjen e AKI’së pasi për këtë ende nuk është pajtuar Presidenti Hashim Thaçi.

Të shtunën, Haradinaj tha se përpos që u ka kërkuar lirimin e pozitave, ata tashmë janë shkarkuar dhe duhet të shkojnë në shtëpi, pasi nuk kanë njoftuar atë për dëbimin e gylenistëve nga Kosova.

Gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Revokimi kishte ndodhur pasi AKI në bashkëpunim me inteligjencën turke kishin konstatuar se të njëjtit persona përbëjnë rrezik  kombëtar për Shtetin.

Behgjet Pacolli kishte thënë se operacioni ishte udhëhequr nga Shefi i AKI’së derisa informacione s’kishin pasur as Haradinaj, Veseli e Thaçi. Megjithëkëtë, shumëkush ka drejtuar gishtin se operacionin e ka udhëhequr edhe Presidenti.

Sidoqoftë, operacioni për arrestimin dhe dërgimin e turqve në Turqi ishin zhvilluar gjatë ditës së enjte. Ishin deportuar për në shtetin turk me një procedurë të përshpejtuar..

Gjatë ditës së shtunë, për shkak të shkarkimeve në Kosovë, kishte reaguar edhe Presidenti turk Erdogan, i cili kishte kërcënuar Haradinajn se do të rrëzohet nga pozita e Kryeministrit./Express/