AKP vazhdon me shitjen e aseteve, aprovon 24 milionë euro për kreditorët

E publikuar: 18/12/2017 16:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka vendosur të vazhdojë me shitjen e aseteve përkundër që Qeveria e Kosovës ka kërkuar që mos të bëhet një gjë e tillë.

Përveç kësaj Bordi ka aprovuar shpërndarjet e përkohshme për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në vlerë prej 24,256.47 euro.

Ky është njoftimi i plotë nga AKP-ja:

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt me datën 14 dhe 15 dhjetor 2017, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi i Drejtorëve diskutoi për valën e fundit të shitjeve të aseteve të përmes likuidimit me nr. 38 dhe me këtë rast aprovoi transaksionet e aseteve që ishin për shitje në tenderin publik të zhvilluar. Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve aprovoi shitjen e re të aseteve me likuidim nr.39, ndërkaq shpallja publike e kësaj vale do të bëhet në harmonizim me Qeverinë e vendit.

Bordi aprovoi shpërndarjet e përkohshme për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në vlerë prej 24,256.47 euro, pastaj miratoi inicimin e likuidimit për 12 NSH, si dhe përcaktoi statusin e disa aseteve.

Bordi i Drejtorëve i AKP-së gjatë kësaj mbledhje diskutoi edhe për aktivitetet e planifikuara të Agjencisë për vitin e ardhshëm dhe në këtë kuadër aprovoi Planin Vjetor të Punës së AKP-së për vitin 2018.

Bordi mori vendim për lirimin nga monitorimi i AKP-së të tri ndërmarrjeve: “Hotel Unioni”, që gjendet në Prishtinë, “Industria e Duhanit (IDGJ Tobaco)”, në Gjilan dhe “Emin Duraku-Kompleksi industrial”, që gjendet në Gjakovë.

Bordi diskutoi edhe në lidhje me qiradhëniet e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, me ç’rast aprovoi disa qiradhënie të aseteve në pronësi shoqërore si dhe diskutoi për çështje tjera lidhur me aktivitetet e zakonshme të Agjencisë.