AKF mbajti ceremoninë e 15 vjetorit të themelit të saj

E publikuar: 06/12/2018 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur ceremoninë e pesëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të saj.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, i cili mori pjesë në këtë ceremoni, theksoi se duke u nisur nga misioni dhe qëllimi i themelimit dhe funksionimit të AKF-së si institucion shtetëror me një rol të veçantë në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë në shtetin, është një privilegj por edhe përgjegjësi dhe sfidë për menaxhimin e përgjithshëm të saj.
“Fusha forenzike të cilën e mbulon ky institucion është shumë e ndjeshme, e rëndësishme dhe përcaktuese në identifikimin, zbulimin, vërtetimin, parandalimin e kriminalitetit në vendin tonë”, tha ministri Mustafa.
Ai shtoi se Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të ketë përkrahjen e tij dhe drejtimin e duhur të përcaktuar me Ligjin për AKF-në dhe legjislacionin përcjellës të aprovuar.
“Falë angazhimit të të gjithë personelit të AKF-së dhe më mbështetjen time të pa rezervë në të gjitha drejtimet, sukseset nuk do të mungojnë edhe në vitet vijuese”, shtoi ministri Mustafa.
Kryeshefi i AKF-së, z. Blerim Olluri, tha se AKF gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprave penale ku të gjitha ekspertizat janë kryer sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Me këtë rast para të pranishmëve u paraqit edhe një film dokumentar i shkurtër lidhur me historikun e themelimit të AKF-së.
Disa nga të arriturat kryesore që janë realizuar gjatë këtyre viteve nga AKF:
-Kryerja në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare e rreth 4000 ekspertimeve me mbi 40 000 dëshmi përcjellëse çdo vit.
-Akreditimi i pesë laboratorëve me standarde ndërkombëtare të cilësisë ISO 17025.
-Rezultatet pozitive të të gjithë eksperteve në testet ndërkombëtare të zotësisë./Infosot/