AKEP u kërkon bizneseve të blejnë menjëherë “domain.al”

E publikuar: 22/02/2018 15:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar bizneset se ata mund të fillojnë menjëherë të kryejnë pranë AKEP regjistrimin e emrave të tyre si domain-e .al

AKEP me qëllim përmirësimin e kuadrit rregullator lidhur me ushtrimin e kompetencës ligjore për administrimin e domain-eve .al, ka nisur një proçes veprimesh administrative të përcaktuara dhe të bëra të ditur për palët e interesuara nëpërmjet Vendimit të Këshillit Drejtues Nr. 25 datë 15.12.2017 “Për marrjen e disa masave mbi shqetësimet lidhur me emrat nën domainet .al”.

Në kuadër të këtij proçesi AKEP beson se është në dobi të subjekteve përfituese, të personave juridikë, fizikë, organizatave jofitimprurëse etj. të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe kanë në përdorim emra tregëtar, në shembull edhe të bizneseve më të suksesshëm në vend, që t’i regjistroni këto emra nën domain.al, .com.al, org.al dhe net.al. Ky proces do të krijojë mundësinë ligjore që të eleminojë çdo abuzim për përdorim të këtyre emrave nga persona të tjerë që nuk i kanë si emër tregtar të tyre.

AKEP njofton se administron domain-et .al sipas përcaktimeve të Organizatës Botërore të Administrimit të Internetit (ICANN), e cila ka përcaktuar domain .al për Shqipërinë. Theksojmë se një nga qëllimet prioritare në punën e institucionit tonë është nxitja e regjistrimit të domain-eve .al, si një aset kombëtar shumë i çmuar dhe i rëndësishëm në imazhin e vendit dhe të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë.

“Regjistrimi i emrave dhe publikimi i web-site me informacionet e nevojshme, të shërbimeve dhe produkteve tuaja, në domain .al është një vlerë e shtuar e imazhit dhe e ndjenjës kombëtare të subjekteve dhe individëve Shqiptarë në internet pasi domain .al është i përcaktuar për Shqipërinë dhe ka përparësi në lidhje me domain-et e tjerë dhe të shteteve të tjera”, thuhet në njoftimin e AKEP. /Monitor