AKEP publikon udhëzimet për të parandaluar roaming e padëshiruar në zonat kufitare

E publikuar: 30/03/2019 05:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

AKEP, në vijim të disa ankesave të qytetarëve të shprehura në rrjete sociale kohët e fundit për përdorim të roamingut ndërkombëtar në zona të caktuara në territorin e Shqipërisë, jep sqarimet dhe udhëzimet e mëposhtme.

Cfarë është roamingu i padëshiruar?

Roamingu i padëshiruar (Inadvertent Roaming) ndodh kur aparati juaj celular në zona kufitare të Shqipërisë me vendet fqinjë kalon automatikisht (pa ndërhyrjen tuaj) në Roaming ndërkombëtar, d.m.th ju jeni duke përdorur sinjalin (shërbimet) e një operatori celulare të vendit të huaj në vend të operatorit vendas, dhe si pasojë tarifoheni sikur të keni përdorur roaming ndërkombëtar kur jeni jashtë Shqipërisë, pra dhe me tarifa më të larta.

Në të tilla raste rezulton se ju jeni tarifuar me tarifat roaming ndërkombëtar nga operatori Shqiptar sikur të ishit jashtë vendit, tarifa që janë më të shtrenjta se ato të aplikuara kur jeni brenda vendit, dhe gjithashtu mund të jeni tarifuar edhe për marrjen e thirrjeve (sic ndodh kur jeni jashte vendit ne roaming).

Një situatë e tillë njihet si roamingu i padëshiruar (Inadvertent Roaming) dhe ndodh ne zonat nderkufitare midis shumë vendeve fqinje (pra është fenomen ndërkombëtar), dhe vjen kryesisht për shkak se shperhapja e sinjaleve te antenave celulare (apo dhe të antenave të cilat transmetojnë shërbime të ndryshme përfshirë edhe radio apo TV) nuk kufizohen dot nga kufijtë midis vendeve. Ndër faktorët kryesorë ndikues janë vendndodhja dhe fuqia transmetuese e qelizave (antenave) të operatorëve celulare kombëtare dhe operatorëve celularë te huaj (të vendeve fqinje) si dhe lloji i terrenit në zonat kufitare të vendeve. Shpesh problemet janë reciproke, d.m.th sic mund të ketë prezencë të sinjaleve të operatorëve celulare të vendeve fqinje në zonat ndërkufitare në Shqipëri, po ashtu ka dhe prezencë të sinjalit të operatorëve celularë të Shqipërisë në zonat ndërkufitare të vendeve fqinje.

Ndër masat teknike që merren zakonisht për të eliminuar apo zbutur këtë problem janë koordinimi ndërkufitar midis vendeve fqinje në lidhje me fuqinë e sinjalit dhe transtetimit të antenave celulare në këto zona.

Si është situate aktuale me vendet fqinje të Shqipërisë dhe roli i AKEP?

Problemet kryesore të roamingut të padëshiruar të Shqipërisë me vendet fqinje kanë qenë kryesisht në zonat kufitare me Malin e Zi, Kosovën dhe Greqinë, dhe në masë më të vogël me Maqedoninë e Veriut.

Problematika ne zonen kufitare me Malin e Zi ka qenë e lidhur me ndërhyrjen e sinjalit të operatoreve celularë të MZ në territorin e Shqipërisë, të avantazhuar edhe nga terreni malor që Mali i Zi ka në zonën kufitare me Shqipërinë si dhe nga vendodhja e antenave transmetuese të operatorëvë celularë të tyre. Në zonën kufitare me Kosoven ka qenë problematike ndërhyrja e sinjalit të operatorëve celularë të Shqipërisë në Kosovë, për shkak se terreni i Shqipërisë në zonën kufitare me Kosovën është malor, ndërsa në Kosovë është fushor.

Këto problematika janë zgjidhur apo reduktuar pasi AKEP në periudhën 2014-2015 ka firmosur marrëveshje koordinimi të frekuencave celulare në zonat kufitare me rregullatorin e Malit të Zi (EKIP), të Kosovës (ARKEP), dhe Maqedonsë së Veriut (AEC). Këto marrveshje kanë cuar dhe në koordinime midis operatorëve celularë të vendeve përkatëse për fuqinë e transmetimit të antenave celulare në zonat kufitare respektive.

Për sa i përket zonës kufitare me Greqine, nga monitorimet e vazhdueshme të AKEP të mbulimit me sinjal celular të zonës jugore të Shqipërise, përkatësisht nga qafa e Llogarasë deri në Konispol rezulton problematike vetëm një segment në zbritje të qafës së Llogarasë prej 2-4 km. AKEP u ka kërkuar operatorëve celularë për mbulimin me sinjal të kësaj pjese rruge, por me gjithë përpjekjet e tyre sinjali i mbulimit është i ulët për shkak se terreni ështe shume i thepisur dhe në formën e një gryke. Në këtë pjesë rruge, apo në zona të caktuara malore të bregut jugor të detit larg rrugës kombëtare, sinjali i operatorëve celularë të Greqisë mund të jetë i fortë, sepse antenat e tyre megjithëse ndodhen më larg (në ishullin e Korfuzit), ato janë të vendosura përballë me këto zona dhe nuk kanë pengesa relievi, cka sjell një sinjal më të fortë në trasmetim se ai operatorëve celularë Shqiptarë.

Për sa i perket zones kufitare me Greqine aktualisht AKEP megjithë përpjekjet e bëra ndër vite nuk ka ende një marrëveshje koordinimi me autoritetet përkatëse përgjegjëse për frekuencat celulare në Greqi. Gjithsesi AKEP po vijon me përpjekjet për të arritur një marrveshje koordinimi me Greqinë sic ka bërë me vendet e tjera fqinje, si dhe me operatorët celularë të Shqipërisë për të forcuar sinjalin e tyre të mbulimit në zonat më problematike.

Si mund të parandaloni roamingun e padëshiruar?

Sic është shpjeguar më sipër roamingu i padëshiruar mund të rezultojë nga faktorë të ndryshëm, dhe AKEP ka ndërmarrë masa dhe do vijojë monitorimet dhe bashkëpunimin me vendet fqinje

për koordinim ndërkufituar për të reduktuar problemet që vijnë nga roamingu i padëshiruar që sjell dëmtim të konsumatorit/përdoruesve celularë.

Megjithatë, duke marrë në konsideratë se vetëm masat teknike nuk mund të eliminojnë plotësisht efektet negative të roamingut të padëshiruar në zonat kufitare, është e rëndësishme që përdoruesit duhet të jenë të informuar mbi këtë çështje dhe të jenë të informuar për masat që mund të ndarmarin vetë për t’i parandaluar këto fenomene si dhe detyrimet e operatorëve celularë për informim për këto masa.

Si ta kuptoni kur jeni ne roaming?

Kur kaloni në roaming, në aparatin tuaj celular ju vijnë mesazhe SMS të mirëseardhjes në rrjet të operatorit të huaj ose mesazhe të operatorit vendas të informimit mbi tarifat e roaming të cilat sipërmarrësi kombëtar është i detyruar të dërgojë kur përdoruesit i fillon roaming.

Si ta bllokoni roamingun e padëshiruar në zona kufitare?

Për të bllokuar roaming e padëshiruar përdoruesit celularë që jetojnë apo kur udhëtojnë në zonat kufitare, përfshirë në zonën Llogara-Konispol, këshillohet të konfigurojnë aparatet celulare të tyre në Përzgjedhje Manuale të Rrjetit duke hequr opsionin e Përzgjedhjes Automatike të Rrjetit. Në përfundim të këtij ndryshimi/opsioni, aparati celular do të bëjë kërkim të rrjeteve celulare të disponueshëm dhe ju duhet të zgjidhni operatorin tuaj celular, pajtimtar i të cilit jeni d.m.th. Vodafone Albania ose Telekom Albania apo Albtelecom.

Ky ndryshim kryhet në aparatin tuaj celular dhe hapat për ta bërë këtë varen nga lloji i aparatit apo modelit. Më poshtë po japim mënyrën e përzgjedhjes manuale të operatorit të rrjetit celular për disa modele kryesore telephona Samsung dhe iPhone.

Telefonë Samsung

Settings>Connectivity (ose Connections)>Network (ose Mobile networks)>Network Selection (ose network operators)> Manual (ose Select Manually).

Pas kësaj zgjedhjeje aparati celular do të bëjë kërkim të rrjeteve celulare të disponueshëm dhe ju duhet të zgjidhni operatorin tuaj celular, pajtimtar i të cilit jeni d.m.th. Vodafone Albania ose Telekom Albania apo Albtelecom.

Telefonë iPhone:

Settings>Mobile Data>Network Selection>Automatic. Në këtë fazë çaktivizoni Automatic)

Pas kësaj zgjedhjeje aparati celular do të bëjë kërkim të rrjeteve celulare të disponueshëm dhe ju duhet të zgjidhni operatorin tuaj celular, pajtimtar i të cilit jeni d.m.th. Vodafone Albania ose Telekom Albania apo Albtelecom.

Në mënyrë alternative për të bërë ndryshimet e mësipërme rekomandoheni të kërkoni asistencë në pikat e shitjes së operatorëve celularë apo pika servisi aparatesh celularë.

Përdoruesit rekomandohen gjithashtu që në aparatin celular të çaktivizojnë (turn off) dhe opsionin Data Roaming, dhe ta aktivizojnë atë vetëm në rastet kur udhëtojnë jashtë Shqipërisë dhe kur janë të mirëinformuar për tarifat që duhet të paguajnë për për data roaming.

Hapa të mëtejshëm nga AKEP

AKEP me Vendimin e KD nr.07, datë 15.03.2019, ka nxjerrë për këshillim publik dokumnetin për heqjen e tarifave të shërbimeve roaming ndërkombëtar Shqipëri – Kosovë, i cili mund të gjendet online në faqen e Internetit të AKEP, duke klikuar këtu. Ndër ndryshimet e propozuara nga AKEP, që do fillojnë të aplikohen nga data 15.06.2019, është dhe detyrimi i mëposhtëm për operatorët celularë të Shqipërisë:

Operatori Celular duhet t’i vërë në dispozicion pajtimtarëve të tij informacionin se si të shmangin roamingun e padëshiruar në rajonet kufitare. Operatori duhet të ndërmarrë hapa të arsyeshëm për të mbrojtur pajtimtarët e tij nga pagesa e tarifave për roaming e padëshiruar ndërsa ndodhen në Shqipëri.