AKEP propozon kufizim në numrin e domaineve .al që mund të ketë një regjistrues

E publikuar: 02/02/2018 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Regjistruesit e domain-eve (faqet e internetit) kanë në pronësi të tyre të paktën 28% të atyre që janë nën zonën .al, com.al dhe net.al. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vëren se duke qenë se ligji nuk vendos kufizime për numrin maksimal, atëherë një pjesë e mirë e regjistruesve i mbajnë ato në pronësi të tyre.

Në këtë kontekst, AKEP sjell në vëmendje se ka nevojë për vendosjen e një kufiri të sipërm pasi disa kompani arrijnë edhe në kufijtë e 3900 domaineve të rezervuara prej tyre, kur vetë AKEP ka vetëm 6 të tillë.

“Regjistruesit kanë në pronësi 5 668 domaine ose afërsisht 28% të numrit total të domaineve .al. Pasja në posedim të kaq shumë domaineve .al, si domaine të vetë Regjistruesve, përbën një lloj pengese në lirinë e subjekteve dhe individëve për të regjistruar një emër domaini, në veçanti të atyre që zotërojnë marka dhe patenta të regjistruara.

Në kushtet kur rreth 28% e domain-eve janë në posedim të Regjistruesve, për t’u ridhënë mundësinë subjekteve të kenë domainin .al të dëshiruar por që nuk e kanë marrë deri sot për shkak të zënies nga Regjistruesit, AKEP shtron për diskutim që nëse do të ishte një lloj zgjidhje që Regjistruesit të lirojnë posedimin e të gjitha domaineve dhe ti kalojnë “të lirë”, edhe për faktin se nuk mund ti përdorin kaq shumë domaine” thuhet në dokumentin e AKEP nxjerrë për konsultim.

Në kushtet e një situate të tillë, Autoriteti ka propozuar që në rastet kur subjektet kërkojnë një domain .al dhe nuk e vendosin atë në punë për një periudhë 3-6 muaj atëherë ai të kalojë sërish i lirë. Po kështu vendoset edhe një kufizim për numrin maksimal që nuk mund të jetë më shumë se 10.

“Posedues të një ose disa emra domainesh nën zonën .al: .com.al, org.al dhe .net.al, kanë të drejtë të jenë individët, personat fizikë dhe juridikë publikë dhe privat dhe personat fizik tregtar, që sipas procedures së regjistrimit, plotësojnë të gjitha kushtet dhe kërkesat e kësaj rregullore. Numri i lejuar maksimal i domaineve .al përfshirë nëndomainet, është 5 deri 10 domaine, me kushtin që të vendosen në përdorim brenda një afati 3 deri 6 mujor.

Regjistruesit kanë detyrimin të kontrollojnë nëse domaini i regjistruar/modifikuar prej tyre, është vendosur në punë brenda këtij afati dhe në rast se përdoret gjatë kohës së vlefshmërisë. Nëse verifikohet që një domain qëndron pa përdorur në një afat prej 6 muajsh gjatë kohës së vlefshmërisë, Regjistruesi e kalon atë domain në gjendje të lirë” thuhet në rregulloren që është në konsultim.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm institucionet shtetërore që mund të kenë numër më të madh domain-esh të lira. Në rastet e subjekteve private apo individë kur ka kërkesë për kalim të numrit maksimal, atëherë ato trajtohen vetëm në AKEP dhe është ky i fundit që vendos nëse do të ketë rritje të numrit apo jo. /Monitor