AKEP dhe ARKEP fillojne punën për zbatimin e marrëveshjes Shqipëri-Kosovë për heqjen e roaming-ut

E publikuar: 29/11/2018 06:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë, Z.Ilir Zela ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kreun e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Kosovës, Z.Kreshnik Gashi, në të cilën është mirëpritur marrëveshja e qeverive të dy shteteve tona për heqjen e tarifës roaming për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.


Zela dhe Z.Gashi kanë përshëndetur marrëveshjen ndërmjet dy qeverive dhe kanë rënë dakord të fillojnë menjëherë punën përgatitore për zbatimin e marrëveshjes.

Dy drejtuesit e Autoriteteve Rregullatore të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, e kanë cilësuar marrëveshjen ndërqeveritare, si një vendim që shkon në drejtim të frymës që Bashkimi Europian po promovon për rajonin tonë që të hiqen barrierat ndaj qytetarëve.


Ky vullnet u theksua edhe gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, Komisionerja e BE-së për Ekonominë Digjitale, Mariya Gabriel.

AKEP dhe ARKEP mirëpresin zgjerimin e kësaj marrëveshje edhe me shtetet e tjera të rajonit, si dhe me vendet e Bashkimit Europian, dhe do të bashkëpunojnë ngushtësisht me këto vende në kuadër të BEREC në përmbushje të Axhendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të udhehequr nga Komisionerja Gabriel. /PCWorld Albanian