Ahmeti vendos t’i shkarkojë dy prej tre drejtorëve të Vetëvendosjes

E publikuar: 07/11/2018 21:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas paralajmërimeve që bëri, sonte, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në Rubikon të KTV-së për herë të parë bëri të ditur shkarkimin definitiv të dy prej tre drejtorëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.

“Ata sillen thua se armiku më i madh i Kosovës jam unë dhe në të njëjtën kohë qëndrojnë në qeverisje, pra gati se një situatë që nuk mund të mbahet më. Unë tashmë e kam marrë vendimin që këtë javë të shkarkohen, dy drejtorë, ai i Shëndetësisë dhe Kadastrit, pasi ata dy kanë qenë të deleguar ndërsa për drejtorin e Kulturës ka qenë marrëveshja e imja me të, personalisht kur ka hyrë në listë dhe i mbetet atij nëse do të vazhdojë punën në Prishtinën që e ka filluar apo dëshiron që për shkak të subjektit politik, të largohet”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës kishte pranuar ditë më parë se është në prag të shkarkimit të drejtorëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kishte thënë se pritjes së tij 5 muajshe në ofertën për koalicion, bërë ish-partisë së tij, ku asaj i ofrohet numri më i madh i drejtorive brenda koalicionit, po i vjen fundi.