Ahmeti deklarohet pas konfirmimit të 45 rasteve të reja me coronavirus në Prishtinë

E publikuar: 15/06/2020 21:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës sot ka shënuar 45 raste të reja me koronavirus, të cilat kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti, i vlerëson si shifra alarmante.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se shumica e rasteve janë raste të kontaktit, pra vajtje- ardhje me njerëz me virus. Po ashtu tha se disa nga të infektuarit nuk kanë simptoma dhe mendojnë se nuk ka lidhje dhe dalin.

“Në qoftë se vazhdohet kështu IKSHP dhe Ministria mund të marrin vendime më drastike, prandaj ju kisha lut ti respektojmë rregullat, pastrimi i duarve shpesh, distanca, dhe në mungesë distance maska. Ende po i presim detajet nga IKSHP por është e qartë që tashmë gjurmimi është më i vështirë dhe lufta me sëmundjen bazohet në vullnetin e secilit prej neve”, ka shkruar Ahmeti.

Ai madje tha se lajmi më pozitiv është fakti se numri i pacientëve me komplikime nuk është shtuar sikurse numri i të infektuarve dhe nuk kemi numër shtesë të vdekjeve, por sipas tij, kjo nuk do të mbahet kështu në qoftë se rriten numrat e të infektuarve, transmeton Front Online.

“Ne si komuna, do të zbatojmë vendimet e qeverisë sipas rekomandimeve të IkSHP por tani mendojmë se është koha për decentralizim të testimeve në komuna dhe shtim të testeve për virus dhe testimeve serologjike. Ajo do të jetë mënyra e vetme për të kuptuar rrjedhen e virusit. Siç po thonë edhe ekspertët, do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin deri në vakcinë por nuk duhet të lejojmë humbje të kontrollit“, ka shkruar Ahmeti.