Ahmeti: Autobusët e rinj nuk tërhiqen nga qarkullimi

E publikuar: 16/10/2018 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar lidhur me protestën e disave nga operatorët privat të linjave të transportit publik në Prishtinë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Trafiku Urban i ka lajmëruar nënkontraktorët disa here gjatë viteve të fundit se autobusët e ri do ti zëvendësojnë të vjetrit.

Ai ka ftuar kompanitë që të përgatiten në javët në vijim për këtë aktivitet e mos të protestojnë sepse autobusët e ri nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private.

“Kalabria dhe Lagja e Spitalit kanë bërë qindra kërkesa për transport publik. Ka shumë linja që kalojnë në disa pjesë në të njejtat rrugë. Komuna e Prishtinës është pronare e linjave të transportit publik, dhe shërbimin për qytetarë e ka mbi interesin privat. Komuna vendos se ku janë nevojat për transport dhe ku do t’i vendosë linjat dhe autobusët”.

“Prishtina ka nevojë për 160 autobusë, dhe me ligjin për Kredinë e kemi kusht qe 80 të jenë nga sektori publik e 80 nga sektori privat. Ne kemi 51 në pronësi publike”.

“Deri në janar do të tenderojmë linjat për sektorin privat dhe do të kenë kontratën e njejtë të pagesës për kilometre sikurse edhe trafiku urban. Të hyrat nga biletat transferohen te komunat. Kontratat do të jenë 7 – 10 vjecare por kompanitë duhet të investojnë në autobusë shumë më të ri se që i kanë sot. Do ta kemi një standard në krejt trasnportin publik. Do të shohim mundësinë e kontraktimit më të shpejtë me ato kompani që kanë ofruar transport të përgjegjshëm me vite në komunën tonë”, ka shkruar ai.

Numri një i kryeqytetit ka ftuar kompanitë që të përgatiten në javët në vijim për këtë aktivitet e mos të protestojnë sepse sipas tij, autobusët e ri nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private, transmeton Klan Kosova.