Ahmeti apel qytetarëve, Kujdes! Mund të vërshohemi nga rastet dhe komplikimet e thjeshta mund të bëhen fatale

E publikuar: 30/06/2020 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas shtimit të numrit të rasteve të infektimeve me koronavirus, është shprehur i shqetësuar, ndërsa u bënë apel qytetarëve që të kenë kujdes, të mbajnë maskë dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan KosovaPost.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka kujtuar se duke qenë i ekspozuar para rrezikut për infektim me koronavirus, ka përfillur të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe pavarësisht  lëvizjeve të shumta dhe kontakte në distancë e me maskë, ai  është mbrojtur nga infektimi.

Prandaj Ahmeti ka kërkuar nga qytetarët që ti përmbahen udhëzimeve  për masa mbrojtëse, sepse shkruan ai ndryshe nuk do të mund të parandalohet përhapja e virusit.

“Kujdes! Mund të vërshohemi nga rastet. Pastaj komplikimet e thjeshta mund të bëhen fatale. Thjeshtë, nuk do të krevate për tu shtrirë e mjekë për të ju mjekuar”, ka shkruar në Facebook Ahmeti.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Gjatë këtyre muajve të pandemisë kam takuar qindra njerëz, kam qenë në kontakt me mjekë, e në lagjet me infeksion. Gjasat për ta marr virusin kanë qenë të larta. Por, kam përcjellur rekomandimet e mjekëve në maksimum. Masken, jo kontakte fizike dhe larje e dezinfektim të rregullt të duarve.

Fatmirësisht, deri më tani nuk e kam virusin. Por meqë numri i njerëzve që njoh me virus është shtuar gjasat janë që të infektohem.

Deri atëherë do ta luftoj me gjana të thjeshta. Maskë, distancë e larje e dezinfektim.

Nanën e kam 72 vjeçare dhe nuk dua ta rrezikoj. Kam parë shumë raste të rënda për ta kaluar si hajgare.

Prandaj sonte nuk po ju flas si kryetar komune por si qytetar e familjar. Këto rekomandime të thjeshta nuk janë të vështira. Përndryshe ska shtet në botë që do ta ndalte përhapjen!

Kujdes! Mund të vërshohemi nga rastet. Pastaj komplikimet e thjeshta mund të bëhen fatale. Thjeshtë, nuk do të krevate për tu shtrirë e mjekë për të ju mjekuar.