Ahmetaj: Vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël nuk rrit taksat

E publikuar: 07/10/2017 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi në Asamblenë e Partisë Socialiste se vendosja e tatimit mbi vlerën e shtuar për biznesin e vogël nuk do të rrisë kostot për bizneset formale, por vetëm për ato që bëjnë evazion.

“TVSH do të shtrihet deri tek bizneset me qarkullim nga zero. Ka rritje të kostos për ata që punojnë në informalitet. Për ata që janë formalë kjo s’ka kosto,” tha Ahmetaj.

Kjo është një deklaratë e pavërtetë. Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH, rrit jo vetëm kostot, por edhe taksat për të gjithë bizneset, përfshirë edhe ato që janë formale dhe i deklarojnë të ardhurat në mënyrë korrekte.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një taksë që zbatohet mbi vlerën e shtuar të mallit në çdo hallkë tregtare që ai kalon. Për shembull nëse një biznes i vogël e ble një mall të caktuar me 100 lekë por e shet atë me 120 lekë, atëherë mbi vlerën e shtuar prej 20 lekësh do të aplikohet taksë në masën 20 për qind ose 4 lekë.

Pra, nëse aktualisht, biznesi i vogël nuk taksohet dhe rrjedhimisht nuk e paguan TVSH mbi marzhin e vet tregtar, me përfshirjen në TVSH ai do të paguajë 20 për qind të diferencës mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes.

Por veç rritjes direkte të taksës, vendosja e TVSH-së mbi biznesin e vogël ka dhe kosto të mëdha administrative. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset e vogla do të duhet të paguajnë ekonomistë për të bërë deklarimet e TVSH-së.

Nëse këto deklarime do të jenë mujore, siç janë për bizneset e tjera, atëherë vetëm kostoja e deklarimit mund të shkojë mbi 500 euro në vit, pa përfshirë këtu blerjen e pajisjeve elektronike si kompjuter dhe programeve të inventarit.

Sipas disa përllogaritjeve nga ekspertët, përfshirja e biznesit të vogël në TVSH do të sjellë rritjen e kostos për të nga 30 deri në 40 për qind të fitimit. Por ministri i financave çuditërisht pretendon të kundërtën. Qëllimisht apo jo kjo pak rëndësi ka.