AGK: Skandaloze lehtësia e përgjegjësve të RTK’së që t’i nënshtrohen politikës

E publikuar: 12/01/2019 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve ka reaguar një ditë pasi Nebih Maxhuni, gazetar i televizionit publik, publikoi në rrjete sociale bisedat ku tregonte se përgjegjës të RTK’së kishin shtyrë gazetarët t’i bënin pyetje Presidentit Hashim Thaçi, sipas kërkesës së këshilltarit të tij.

Një ish-gazetar i RTK’së ka nxjerr biseda ku kryeredaktori i televizionit publik, Ridvan Berisha, i ka kërkuar që të pyes presidentin Thaci sipas porosisë së këshilltarit të tij, Adil Behramaj.

 “z. President, nga burime brenda koalicionit qeveritar, kemi mësuar se Qeveria se shpejti pritet ta procedoje ne Kuvendin e Kosoves projektligjin per themelimin e ushtrisë se Kosoves, te cilin ju e aptat iniciuar me herët dhe me pas pezulluar. Çfarë po ndodh me transformimin e FSK-se ne ushtri, a do te themeloher përmes ligjit dhe kur pritet te ndodh kjo?”, i shkruante Behramaj Berishës.

AGK konsideron të papranueshme dhe skandaloze përpjekjet e politikës për të dirigjuar agjendat mediale, aq sa edhe lehtësinë e nënshtrimit të medieve te politika.

Reagimi i plotë i AGK’së:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim lajmin e publikuar në medie lidhur me tendencën e zyrës së Presidencës, për ndikim mbi Transmetuesin Publik të Kosovës.

Kjo përpjekje për të dirigjuar pyetje dhe agjenda mbi mediet është e papranueshme dhe skandaloze, aq sa lehtësia dhe gatishmëria e atyre që janë të thirrur për ta mbrojtur profesionin, për t`iu nënshtruar këtyre agjendave politike, qoftë vullnetshëm ose përmes ndikimit, duke shfrytëzuar hierarkinë editoriale.

AGK u bën thirrje të gjithë gazetarëve që t`i qëndrojnë besnik parimeve profesionale dhe i inkurajon ata që të mos bëjnë veprime që mund ta rrënojnë kredibilitetin e tyre profesional dhe të komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.

Asociacioni inkurajon gazetarët që të gjitha rastet e ndërhyrjeve joprofesionale, ndikimit, censurës dhe presionit, qoftë brenda redaksive apo edhe nga jashtë, t`i denoncojnë publikisht me kohë.

AGK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së që të mos heshtin ndaj kësaj cështjeje dhe ta adresojnë konform rregullativës së brendshme dhe standardeve profesionale. Kjo pasi rastet e tilla dëmtojnë imazhin e transmetuesit publik dhe komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.r