AGK reagon ndaj VV-së për ‘linçim’ të drejtuesve të RTK-së

E publikuar: 20/01/2017 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj dy drejtuesve të televizionit publik të Kosovës (RTK), drejtorit të përgjithshëm Mentor Shala dhe kryeredaktorit Ridvan Berisha.

Në reagim, AGK tha se e kundërshton “fushatën linçuese”, të Vetëvendosjes ndaj Shalës e Berishës.

Gjatë seancës së djeshme të Kuvendit, kur po debatohej për arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes nga ana e Policisë, deputetë të Vetëvendosjes dolën para foltores së Kuvendit me një baner në të cilin ishin të përfshira fotografitë e atyre që VV pretendon se janë përgjegjës për, siç e quajnë ata, fushatën për arrestimin e aktivistëve të kësaj partie.

Në mesin e personave të përfshirë në këtë baner ishin edhe fotografitë e drejtorit të RTK-së, mentor Shala, dhe kryeredaktorit Ridvan Berisha.

Paraqitja e një baneri të tillë në publik është bërë edhe disa herë më parë nëpër konferenca për media të Vetëvendosjes.

“Fatkeqësisht ky subjekt opozitar që synon të vijë në pushtet, prej muajsh linçon publikisht drejtuesit e RTK-së. Ne kemi pritur që Vetëvendosje të reflektonte pas disa gabimeve që ka bërë muajt e fundit duke akuzuar, linçuar dhe kërcënuar gazetarë”, tha AGK në reagimin e vet.

Kjo sjellje, sipas AGK-së, më së paku i ka hije një subjekti politik që mëton të promovojë lirinë e shprehjes dhe mediave në Kosovë.

“Ne kërkojmë nga Vetëvendosja që të ndalë këtë formë të linçimit dhe akuzave ndaj drejtuesve të RTK-së duke inkurajuar këtë subjekt politik që t’ju drejtohet organeve kompetente nëse pretendon se ka fakte për atë që thotë. Poashtu inkurajojmë edhe dy kolegët Shala e Berisha që të fillojnë ndjekjen e rrugëve ligjore në lidhje me këtë rast”, thuhet në reagim.