AGK: Mbani gjykatat të hapura

E publikuar: 21/10/2016 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e komunitetit të gazetarëve të cilëve dje nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën gjyqësore kundër Sali Mekajt, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.

AGK përmes një njoftimi për media ka konsideruar se me mbylljen e këtij gjykimi, Gjykata Themelore ka vepruar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare pasi që ekziston interes i madh publik që ky gjykim të jetë i hapur.

“Parimet e transparencës dhe e drejta e mediave që të informojnë publikun duhet të vihen përpara interesit të vet akuzuarit dhe familjes së tij. Nuk është obligim i mediave që të mbrojnë autoritetin e të akuzuarit, i cili si një zyrtar i lartë i shtetit është dashur të jetë një shembull”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Njoftimi i plotë:

“#Mbani gjykatat të hapura
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 tetor 2016 u mbajt seanca për shqyrtimin fillestar në rastin Prokuroria Speciale kundër Sali Mekajt, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.
Kryetari i trupit gjykues vendosi, sipas propozimit të avokatëve, të mbyllet ky gjykim për publikun.
AGK me shqetësim ka pranuar informatat nga komuniteti i gazetarëve për vendimin e gjykatës që të përjashtojë publikun. Gazetaret ende nuk kanë qasje në aktvendimin me shkrim, siç parashihet me Kodin e Procedurës Penal.
Në veçanti, ne jemi të shqetësuar që prokurorja e rastit znj. Drita Hajdari është pajtuar që gjykimi të jetë i mbyllur.
AGK konsideron se me mbylljen e këtij gjykimi, Gjykata Themelore ka vepruar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare pasi që ekziton inters i madh publik që ky gjykim të jetë i hapur.
Parimet e transparencës dhe e drejta e mediave që të informojnë publikun duhet të vihen përpara interesit të vet akuzuarit dhe familjes së tij. Nuk është obligim i mediave që të mbrojnë autoritetin e të akuzuarit, i cili si një zyrtar i lartë i shtetit është dashur të jetë një shembull.
Po ashtu Gjykata Themelore si institucion i cili gjykon në mënyrë të barabartë dhe jep vendime të drejta e të bazuara në ligj, duhet të ketë parasysh që gjykimi pubik ndaj kryetarit të suspenduar të Gjykatës së Apelit, është edhe një mundësi tjetër që të ju bëjë me dije të gjithëve që nëse ata akuzohen do të ballafaqohen publikisht para gjykatës.
AGK pret nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Hamdi Ibrahimi që ai të udhëzojë kryetarin e trupit gjykues në këtë rast z. Shasivar Hoti të hapë seancat gjyqësore.
Po ashtu kërkojmë nga prokurorja speciale znj. Drita Hajdari që në seancën e radhës të kundërshtojë mbylljen e gjykimit.
AGK pret që Gjykatësi i çështjes z. Shasivar Hoti, ta ndryshojë vendimin e mëparshëm dhe ta hapë seancën për publikun me arsyetimin e interesit të publikut që të informohet për këtë rast është më i madh se çfarëdo interesi tjetër i të akuzuarit.
Mbetja e një vendimi të tillë në fuqi, është edhe një precedent shumë i rrezikshëm për gjyqësorin kosovar, pasi që të gjitha rastet e tilla të profileve të larta do të mund të kërkonin mbylljen e seancave”(sic.)./Telegrafi/