AGK dënon kërcënimet dhe sulmet ndaj Kryeredaktorit Kerquki

E publikuar: 24/10/2016 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një komunikate, ka dënuar ashpër sulmet dhe kërcënimet që po i bëhen autorit të emisionit Zona Express, Leonard Kerqukit, pas transmetimit të dokumentarit “Gjahu në UÇK”.
Emisioni Zona Express, prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini, ka transmetuar dy dokumentarë rreth themelimit të Gjykatës Speciale; duke renditur rastet që mund të trajtohen aty. Kjo ka ngjallur pakënaqësi tek përkrahësit e njerëzve që mund të akuzohen nga Tribunali.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me kërcënimet me jetë që po i bëhen kolegut Leonard Kerquki. Me shqetësim e kemi pranuar njoftimin se kolegu Kerquki ka pranuar qindra kërcënime me jetë pas transmetimit të emisionit autor i së cilit është pikërisht ai”, thuhet në reagimin e AGK’së.

“Është i patolerueshëm fakti kur në qindra komente kërkohet vrasja e Kerqukit si dhe të pjesës tjetër të stafit realizues të emisionit. Poashtu dënojmë nisjen e një fushate neper rrjetet sociale në të cilat përdoret fotografia e kolegut Leonrad Kerquki e që i janë vendosur tre plumba në ballë”, thuhet në komunikatë.

Përveç Kryeredaktorit Kerquki, kërcënime ka marrë i gjithë stafi drejtues i Gazetës Express.