AGK dënon ashpër fushatën linçuese ndaj gazetarit Parim Olluri

E publikuar: 31/01/2018 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ashpër ndaj fushatës linçuese e cila po zhvillohet ndaj drejtorit të portalit “Insajder”, Parim Olluri, nga faqja në Facebook “Albanian Real Facts”.

“Gazetari Parim Olluri tash e sa ditë vazhdon të jetë cak i një fushate linçuese dhe denigruese nga faqe të ndryshme në rrjetin social Facebook. Kjo gjuhë e përdorur ndaj gazetarit Olluri, ka të bëjë me shkrimet dhe punën e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tashmë e ka raportuar këtë faqe në administratën e Facebook-ut, duke dëshmuar se e njëjta ka përhapur gjuhë të urrejtjes dhe ka kryer linçim publik ndaj gazetarit Olluri”, thuhet në reagimin e AGK-së

AGK, ju bënë thirrje institucioneve ligjzbatuese në vend, si dhe të gjithë mekanizmave të tjerë shtetëror që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe autorët e kësaj fushate, të cilat fshihen pas faqeve të ndryshme të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë.