Agjenti i Rashicës: Leipzigu i përshtatet mirë Milotit

E publikuar: 16/07/2020 12:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjenti i Milot Rashicës, Altin Lala, i ka shtuar spekulimet për një transferim potencial të kosovarit në Leipzig, pasi e ka lavdëruar klubin dhe ka thënë se trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, dhe stili i tyre i lojës i përshtaten Rashicës.

Milot Rashica ka qenë njëri ndër lojtarët më të spekuluar për të ardhmen e tij gjatë këtij sezoni, pasi që forma e tij e mirë kishte bërë që për të të interesohen shumë klube të mëdha evropiane, në mesin e të cilave është edhe Leipzigu, transmeton Gazeta Express.

Gazeta gjermane Sport Bild raportoi këtë javë se Rashica i ka refuzuar ofertat dhe interesimin e klubeve si Milan dhe Liverpool, pasi që e dëshiron transferimin në Red Bull Arena nga Werder Bremen.

Tani, në një intervistë të dhënë për mediumin gjermane Deichstube, Lala e konfirmoi se Leipzigu është një klub tërheqës për 24-vjeçarin.

“Leipzigu është një klub interesant. Trajneri dhe stili i tyre i lojës i përshtaten Milotit mirë”, ka thënë Lala.

“Lepzigu është një klub që i bën lojtarët e vet më të mirë”, shtoi ai.

Sipas mediumeve gjermane, Werder Bremeni nuk do ta lërë yllin kosovar të largohet nga klubi për më pak sesa 20 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës.