Agjencitë turistike kërkojnë që taksa për autobus të jetë 5 euro

E publikuar: 17/09/2018 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve reagon për lartësinë e taksës së aplikuar në Rrugën e Kombit. Agjencitë turistike për transportin e udhëtarëve nga Kosova në mënyrë unanime kërkojnë që taksa për autobus të jetë pesë euro.
Shoqata thekson se nuk është kundër taksës rrugore, madje ata thonë të kenë qenë bashkëpunues në mbledhjet e dy qeverive për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë.

“Kjo shoqatë nuk është kundër taksës rrugore por përkundrazi ka dhënë kontributin e saj në takimet e mbajtura të nivelit qeveritar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për të ardhur deri tek një zgjidhje e pranueshme për pagesën e taksës për autobus”, thuhet në një komunikatë e lëshuar nga Oda Ekonomike e Kosovës pas takimit që pati me shoqatën e Transportit Rrugor të Kosovës.

Siç thuhet në komunikatë, jashtë sezonit janë 20 deri në 30 autobusë që çdo ditë mbajnë linjat e rregullta nga Kosova në Shqipëri.

“Gjatë vikendeve numri i autobusëve që qarkullojnë në rrugën e kombit arrijnë shifrën nga 50 deri në 60 autobusë, ndërkaq gjatë sezonit turistik kjo shifër arrin deri në 100 autobusë përgjatë ditës”, thuhet në njoftim.

Sipas tarifave të reja, një autobus për të kaluar nëpër rrugën e Kombit duhet të paguajë 10 euro, ndërsa për vetura 5 euro.