Agim Veliu për protestën: Opozita e ka humbur udhën

E publikuar: 04/04/2015 15:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së LDK-së, njëkohësisht kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar ndaj paralajmërimit për protesta nga opozita.
Veliu ka thënë se LDK-ja nuk e ka “kap shtetin”, por që atë e ka fituar me vota të popullit.

Sipas tij, opozita, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje e ka humbur udhën dhe po mendon që vetëm me protesta do të arrihet ndonjë zgjidhje.

“Opozita e ka humb udhën që moti, sepse po mendojnë që me protesta e me dhunë do të arrihet ndonjë zgjidhje e problemeve që ka ky vend”, ka thënë Veliu për Indeksonline.
Për protestat që kanë ndodhur deri më tani, Agim Veliu është shprehur se LDK-ja gjatë 100 ditëshit është përballur pa ndërprerë me to, prandaj përkundër tyre, kjo parti ka punuar mjaft për vendin.

“Nuk e di ku kanë qenë ato sindikata deri më tani e që nuk iu është dëgjuar zëri kurrë. Vendi nuk mund të ketë rritje pagash dhe populli e di se sa e ka buxhetin Kosova”, ka shtuar ai.
Veliu ka shtuar se rritja e pagave do ta çonte Kosovën në krizë, sepse buxheti nuk e lejon që të ndodhë një gjë e tillë.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë që ta rrisë buxhetin, të krijojë vende pune, ta rrisë ekonominë, pastaj të bëhet rritja e pagave.