Agim Bahtiri kërcënon me vetëvrasje

E publikuar: 01/03/2016 18:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri duket se po do të sjellë praktika japoneze në Kosovë. Ai ka thënë se do të vrasë veten nëse vërtetohet se ka bërë keqpërdorime në detyrë. Nuk dihet nëse një gjë e tillë Bahtirit, i ka rënë ndërmend për shkak që bashkëpunon me biznesmenë japonezë ose vërtetë është kaq preciz.

Agim Bahtiri duke ka folur për aktakuzën që i është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke i mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar dhe marrëveshje për kufizim të konkurrencës.

Ai ka mohuar në formë të prerë madje ka thënë se do t’i jepte fund jetës nëse del që ka keqpërdorur paranë dhe pozitën publike.

“Nëse del që është keqpërdorur një cent nga ana ime unë do ta vras veten”, ka thënë ai në emisionin “Info Magazine”.

Sipas tij, akuza e ngritur ndaj tij, se ne emër të Komunës së Mitrovicës ka lidhur marrëveshje me një kompani holandeze me seli në Prishtinë pasi Komuna nuk ka pasur mundësi të bëjë ndriçimin e qytetit.

“Asnjë cent Komuna nuk e ka dhënë për këtë investim por vetëm ka kursyer”, ka thënë Bahtiri.

Ai, menjëherë pasi u dha njoftimi për aktakuzë, i tha Gazetës Express, se SHIK-u kishte ndikuar ti ngrihet aktakuza.

Prokuroria njoftoi gjatë ditës se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se Bahtiri dhe zyrtari i prokurimit duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. / Gazeta Express/