Agani për “rastin stenta”: Ja edhe sa mjekë tjerë janë nën hetime!

E publikuar: 28/03/2016 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në “Puls” të KTV-së, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani, ka folur për menaxhimin e këtij dikasteri, për degradimin e mjedisit e për hetimet që po bëhen ndaj tij në kohën sa po e drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministri Agani ka thënë se përkundër përpjekjeve të organeve lokale e qendrore të shteti, “ende po sillemi me mjedisin si një vend armik, e jo si një vend i yni madje as si të ishte i huaj”.

Aty u bë me dije se në Kosovë operojnë rreth 140 gurthyes, që po shkatërrojnë mjedisin, bashkë me eksportuesit e rërës nëpër lumenj.

“Lumenjtë janë të degraduar edhe nga pakujdesia institucionale”, ka thënë Agani, teksa ka përmendur lejimin e derdhjes së ujërave të zeza në ta si dhe marrjen e rërës.

Aty është treguar se borxhi i shtetit për shpronësime arrin në rreth 100 milionë euro.

Softueri i blerë 500 mijë euro nga MMPH për shpronësimin e pronave nuk është futur në përdorim me vite të tëra për të siguruar transparencën maksimale për shpronësimin e tokave. Ky softuer, sikur të ishte në funksion do të mund të shihej nga qytetarët, mediat, shoqëria civile se sa është paguar për çmimet e parcelave kadastrale dhe në rast se po favorizohet ndonjë individë apo komunë.

Ministri Agani ka folur edhe për operatorët ekonomikë apo prodhuesit e ujit në Kosovë.
“Ne e kemi dërguar lëndën në prokurori për shkak se operatorët ekonomikë nuk i kanë raportuar sasitë e ujit që e kanë prodhuar ose më mirë sasinë e ujit që e kanë shitur, nuk janë paguar taksat ministrisë sonë dhe prokuroria dhe policia janë duke e hetuar intensivisht këtë rast. Ne po kërkojnë informata kohë pas kohe dhe presim të përfundojë dhe të dënohet dikush për këtë”, ka thënë Agani.

Në Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna janë 1200 shtëpi ilegale të ndërtuara në këtë zonë të mbrojtur.

Janë rreth 1600 deponi ilegale të bërllokut, që po bëjnë që Kosova të mbulohet nga bërlloku. Sidomos ndërtuesit janë duke degraduar me mbeturina të forta siç thuhet, ka mungesë të koordinimit në mes komunave, shërbimeve publike dhe ministrive.

Kur ka folur për hetimet ndaj tij, ai ka thënë se është nën hetime për “rastin stenta” bashkë edhe rreth 100 mjekë.
“Prokuroria është duke e kryer punën mirë dhe unë uroj të përfundojë dhe të qartësohen të gjitha. Unë i kam argumentet e mia që jam i pafajshëm, tash presim vendimin”, ka thënë Agani.