Afganistan, tetë ushtarë të vdekur në sulm vetëvrasës

E publikuar: 27/05/2018 20:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën tetë ushtarë gjetën vdekjen dhe mbi dhjetë të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një kamioni-bombë pranë një baze ushtarake në jug të Afganistanit.

Një zëdhënës i qeverisë lokale konfirmoi numrin e të vdekurve për Zërin e Amerikës dhe tha se sulmi u krye sot në mëngjes në komunën e trazuar Nad Ali të provincës së Helmandit.

Talebanët morën përgjegjësinë për shpërthimin. Një zëdhënës i tyre tha se nga shpërthimi mbetën mbi 100 ushtarë të vdekur e të plagosur, por shifrat e dhëna nga talebanët janë shpesh të fryra.

Helmandi është ndër rajonet kryesore për prodhimin e lulëkuqes për heroinë dhe një ndër distriktet që ndodhet pjesërisht nën kontrollin e talebanëve.