Afganistan: Sulm vetëvrasës ndaj trupave të NATO-s

E publikuar: 15/09/2017 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një makinë bombë u përplas sot me një autokolonë të NATO-s në Afganistanin jugor duke plagosur të paktën katër ushtarë rumunë.

Lajmi u konfirmua për “Zërin e Amerikës” nga një zëdhënës i qeverisë lokale, sipas të cilit sulmi ndodhi pranë bazës ajrore në Kandahar, kryeqytetin e provincës.

Autokolona e NATO-s ishte duke patrulluar kur u sulmua.

Një zëdhënës i talebanëve mori përgjegjësinë për sulmin. Ai tha se u shkatërrua një automjet ushtarak dhe u vranë shtatë “pushtues të huaj” siç i cilësoi. Grupi kryengritës pretendon shpesh për të vrarë gjatë sulmeve që kryen, pretendime që provohen më vonë të jenë të pavërteta.

Kryengritësit talebanë vazhdimisht venë në shënjestër forcat afgane të sigurisë, por sulmet e tyre ndaj trupave të huaja duket se janë shpeshtuar që kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi strategjinë e tij të re për Afganistanin që synon të thyejë statukuonë në përballjen me talebanët.