Aeroporti i Gjakovës së shpejti do të funksionalizohet

E publikuar: 22/04/2017 09:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa tha se Aeroporti i Gjakovës është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet, shkruan sot, gazeta Zeri.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të premten Aeroportin e Gjakovës, në të cilën u prit nga kryeshefja ekzekutive e Aeroportit, Vlora Gojani, anëtarët e bordit dhe të ekzekutivit.

Në takim, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe drejtori i Aviacionit Civil, kryeministri Mustafa u njoftua në detaje për asetet që i disponon Aeroporti i Gjakovës, si dhe mundësitë e funksionalizimit të tij. Më pas kryeministri Mustafa vizitoi ambientet, më të cilat mbahen pajisjet për mirëmbajtjen e pistës dhe pjesës tjetër të aseteve të Aeroportit.

Para medieve të pranishme kryeministri Mustafa tha se ky aeroport është një aset shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Gjakovës e të Kosovës, i cili nuk duhet të mbahet në pasivitet. “Ju i shihni këto pajisje që kanë një vlerë shumë të veçantë dhe është keq që janë jashtë përdorimit.

E kemi një pistë të shkëlqyeshme të aeroportit, një ambient i cili është tepër i mirë për Kosovën, por edhe për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, edhe ministritë përkatëse, edhe agjencitë qeveritare, por edhe Komuna, bordi dhe menaxhmenti i këtij aeroporti në mënyrë që t’i gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu tha se Qeveria do të marrë për obligim që të sigurojë financimin që bordi, menaxhmenti dhe punonjësit të cilët merren me administratën dhe me sigurinë e saj të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë..