Aeroplani i presidentit kinez përcillet nga tetë aeroplanë luftarakë

E publikuar: 22/04/2015 13:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pakistani ka dërguar tetë aeroplanë luftarakë JF-17 për të përcjellë aeroplanin e presidentit kinez, Xi Jinping, kur ai hyri në hapësirën ajrore pakistaneze për një vizitë shtetërore në këtë vend.

Kjo është një etikë profesionale diplomatike e cila zakonisht miratohet nga vendet në shoqërimin e aeroplanëve të liderëve të huaj gjatë vizitave shtetërore, me qëllim të tregimit të rëndësisë që i kushtojnë ata vizitës në fjalë.

Ndonjëherë, vendet, veçanërisht ato me një situatë të paqëndrueshme të sigurisë, gjithashtu do të dërgojnë aeroplanë luftarakë për të mbrojtur aeroplanin e prijësit të huaj, transmeton Telegrafi.

Dhe siç shkruajnë mediat e huaja, kjo nuk është hera e parë që aeroplani i presidentit kinez përcillet nga aeroplanë luftarakë të shtetit mikpritës.

Kur ai kishte vizituar Holandën në mars të vitit 2014, dy aeroplanë luftarakë F-16 të forcave ajrore të këtij vendi ishin dërguar për të përcjellë eskortën e tij. Më vonë, gjatë një turneu në Evropë, Xi kishte marrë të njëjtën “mirëseardhje” nga Belgjika.

Gjithashtu, në qershor të vitit 2014, Venezuela kishte angazhuar dy aeroplanë luftarakë Su-30 për të përcjellë aeroplanin e presidentit kinez, gjatë vizitës që presidenti i kishte bërë këtij vendi të Amerikës Jugore.