Postimi i Adriatik Kelmendit që e bëri deputeten e VV’së ta sulmojë

E publikuar: 23/02/2018 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adriatik Kelmendi, autor i emisionit Rubikon dhe aksionar i një kompanie reklamash, ka ofenduar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët janë kundër Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ai ka shkruar se ata duhet të zgjedhin në mes Rusisë dhe Amerikës.
Postimi i Kelmendit për të cilin po akuzohet se ka ofenduar deputetët anti demarkacion

Përplasja në mes deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe prezantuesit të emisionit Rubikon, Adriatik Kelemendi filloi pasi që ky i fundit i krahasoj deputetët e partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës me Listën Serbe dhe Rusinë.

Gjatë ditës së djeshme Kelmendi, kishte shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se deputetët shqiptar të Kuvendit duhet të përcaktohen se a janë me Amerikën apo me Rusinë.

“Me qëndrimin e Listës Serbe tashmë porositë janë të qarta: 1) Amerika dhe Brukseli po na thonë votojeni demarkacionin 2) Lista Serbe – Vuçiqi – Rusia po na thonë mos e votoni. Situata brutalisht e thjeshtë: Deputetët shqiptarë të Kuvendit duhet të përcaktohen a janë për të parët apo për të dytët”, kishte shkruar Kelmendi.

Mirëpo deputetja Haxhiu këtë status të tij e ka quajtur të ulët dhe të papranueshëm.

Ndër të tjera ajo thotë se Kelemendi ka nisur një fushatë për faljen e 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi.

“Ka disa ditë që Adriatik Kelmendi ka nisur një fushatë dhe presion mbi deputetët e Kuvendit që të votojnë demarkacionin që i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi. Kulmi i gjithë kësaj është kur në mënyrë të ulët mundohet të na krahasojë me Listën serbe dhe Rusinë. Fushata përbaltëse kundër nesh është e papranueshme!”, ka shkruar Albulena Haxhiu./GazetaExpress/