Adrian Çollaku: Negociatat LVV-LDK, pazar politik – fiton ai që reziston më shumë

E publikuar: 04/12/2019 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti politik Adrian Çollaku ka thënë se posti i presidentit siç pretendohej se ka bllokuar negociatat mes LVV-së e LDK-së, rezulton që nuk është diskutuar fare në takimet e tyre.

”Është posti i presidentit ai që ka bllokuar negociatat, apo marrëveshjen përfundimtare mes LVV e LDK”.

”Por doli që pika kryesore, që është ‘posti i presidentit’ – nuk është diskutuar fare në takimet e përbashkëta që kishin këto dy parti politike”.

Çollaku ka vlerësuar se kjo rrjedhë e tendencës së bashkëpunimit mes këtyre dy subjekteve po del të jetë e befasishme, pasi postet politike po konsiderohen më të rëndësishme sesa vet programi i tyre, njofton Klan Kosova.

”Është pak e befasishme sepse nëse keni përcjellë dy takimet e fundit ata thanë se kanë harmonizuar programet 100% por doli tani që këto poste politike janë shumë të rëndësishme sesa pikat e planit të përbashkët”.

”Në politikën tonë por edhe në Ballkan, pozitat janë shumë më të rëndësishme sesa pikat programore. Ky është pazar politik, ai që reziston më shumë fiton. Nëse dështon marrëveshja, LVV-ja është partia e parë e duke qenë se LVV s’ka tjetër zgjidhje, duke folur për historikun partia e dytë asnjëherë nuk i kishte dy pozicione”.

”Nuk e ka përmend në asnjë takim Isa Mustafa postin e presidentit siç ka bërë në 2014-tën. Kjo ishte strategji e Isa Mustafës por këta një zgjidhje duhet ta bëjnë”.

”Nevojiten 81 vota ose 2/3-tat. Marrë parasysh qëllimin e Vetëvendosjes këta nuk i kanë këto vota. I bie që 14 vota janë në minus për postin e presidentit. Është pak problematik ky posti i presidentit. Nëse nuk kemi harru gjatë fushatës elektorale, nëse Ramush Haradinaj merrte postin e Kryeministrit i binte që ai të jetë i barazvlefshëm me tri ministri”.

Ai në Info Magazinën e Klan Kosovës, ka shtuar se Albin Kurti ka dy rrugë për të ndjekur sa i përket çështjes së negociatave mes Kosovës e Serbisë.

”Ndoshta Albin Kurti mund të ketë frikë nga negociatat sepse është një lloj sfide e ndoshta edhe mundohet ta zvarris. Por ky proces është i pashmangshëm. Qoftë amerikanët apo Brukseli zyrtar do të jenë ndoshta një shtytës”.

”Por edhe Albin Kurti e ka thënë se ai do të jetë në krye të bisedimeve. Ky ka dy rrugë, ose të shkojë në këto opsione me negociata ose rrugën e Haradinajt të mos shkojë në negociata”.

Më tej Adrian Çollaku foli edhe për kërkesën e Isa Mustafës për të marrë postin e presidentit, njofton Klan Kosova.

”Ai po do që karrierën e tij të mos e përmbyll pa një post që gjithnjë e ka dëshiruar, pra atë të presidentit. E kjo puna e presidentit mund të ndodhë ta kemi më shpejt sesa e kemi menduar”.

”Burime të LDK-së na thonë që Isa Mustafa planifikon që të jetë në mars president, pasi sipas tyre mund të ketë një ftesë nga Gjykata Speciale për presidentin aktual”.