Aderimi im në PDK dhe telefonata tronditëse e Fatmirit

E publikuar: 18/05/2017 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Berat Buzhala
Kjo kishte ndodhur në fund të vitit 2010. Po bëheshin listat për deputetë. Një telefonatë e Fatmir Limajt më kishte tronditur. Në fakt ma kishte treguar të vërtetën e hidhur. Vlerën time në këtë parti.
Në tetor të vitit 2010 aderova në PDK, bashkë me një grup shokësh dhe kolegësh gazetarë. Disa prej tyre sot me shumë dëshirë do ta shkurtonin njërën prej gjymtyrëve po të mundnin ta falsifikonin atë pjesë të historisë. Ta retushonin atë, sepse kjo do t’u ndihmonte që të prosperonin politikisht në ambiente të reja revolucionare.

Unë e shoh pak më ndryshe. Nuk krenohem shumë me atë pjesë, por e konsideroj si një pjesë simpatike të jetës time, të cilën nuk do ta kisha shlyer me asnjë kusht.

Brenda PDK’se, sikur edhe brenda partive tjera politike, ka shumë njerëz të mirë, por që fatkeqësisht zëri i tyre nuk është sa duhet i fuqishëm. Une u largova nga aty, sepse deshtova. Nuk ishte faji i partisë, ishte faji im. E kisha përceptuar gabimisht politikën. Nga jashtë ajo duket shume joshëse dhe shumë më lozonjare, e posacërisht kur je gazetar, kur me shefat e partive takohesh në baza të barabarta, në studio televizive, ose në restorane. Kurvëria e politikës dhe gazetarisë nuk është e sotit. Ajo daton që kur ka lindur njëra dhe kur ka lindur tjetra. Duke qënë figurë e njohur publike, analist i shquar, të rritet ambicia, e posacërisht vetëbesimi. Qëllimshëm, në mënyrë finoke, shefi i partisë, cilido qoftë ai, për sa kohë nuk je futur ende në grackën e tij, shtiret sikur dridhet nga ti. Me zgjuarësi të madhe artificialisht të japin më shume fuqi, se sa realisht ke – deri në momentin që të futesh brenda.

Edhe unë e pata këtë fat. E njihja Thacin, por edhe zyrtarët më të lartë te PDK’se, vetëm përmes ndejave joformale. Isha krejtesisht naiv se si funksionon partia. Mirepo nuk kishte vonuar aspak ballafaqimi me realitetin, në formën më të vrazhdë.

Ndoshta dy tri javë pas ADERIMIT tim, shefi i partisë, bashkë edhe me shokët e mi gazetarë, na akomodoi në zyrat e qeverisë, ku ai ishte edhe më tutje Kryeministër. Qëndruam në ato ambiente gjithë fodullëk. Jo që po na pyeste dikush dicka, mirëpo na mjaftonte që të tjerët të mendonin që ne tashmë ishim të rëndësishëm. Në ndërkohë që ne vazhdonim të mendonim kështu, ata të tjerët, për të cilët ne ndienim nëncmim, po i cokatnin thikat, shpatat dhe cdo mjet tjetër të përshtatshëm për luftë të brendshme partiake.

Unë realisht kur u futa në PDK nuk kisha kërkuar asgjë prej gjëjë, përvec që të futëm në listë për deputet. Isha i bindur që do të gjendem dikund në 15 kandidatët e parë. Intimisht besoja që do të jam në mesin e 10 të parëve, edhe pse isha i gatshëm ta kapërdijë edhe numrin 15. Kjo sepse e njihja nga afër Hashim Thacin, Fatmir Limajn dhe të gjithë ata që ishin dikushi në PDK.

Po e prisja publikimin e listës për deputet me gjakftohtësinë e një kasapi të mocëm. Ishim në Strip Depo. Publikimi i listës po shtyhej deri në orët e fundit të afatit për dorëzim në KQZ. Hashim Thaci e konsideron sport personal cenimin, ose shtyerjen e afateve deri në maksimum. Ai i terrorizon të gjithë bashkëpunëtorët me mosrespektim të afateve. Njëjtë po vepronte edhe atë natë. E shihja që të gjithë ishin në ethe, por kjo mua nuk po më bënte shumë përshtypje.

Rreth orës 22.00 të asaj nate, e pranova një telefonatë nga Fatmir Limaj, njeriu i dytë në PDK, në atë kohë. E kisha mik të mirë. Avash avash me tha nëse isha i kënaqur po të më rënditnin në numër 47. Për një moment mu duk që më ra mbi kokë tavani i Strip Depos. Qysh?, ishte një reagim i imi instiktiv. Si profesionist që ishte, Limaj e priste këtë reagim. Unë e dija që Thaci i kishte kërkuar që të më njoftonte për këtë gjëm. Arrita vetëm t’i thoja që do të isha i nderuar – madje ky ishte ultimatum i imi – sikur emri im të mos figuronte fare në listë. I thash, harrojeni që kam aderuar, harrojini të gjitha. Nuk do të hidhërohem (në fakt po zihesha si vullkan), vetëm më lini që të largohem. E ndërpremë bisedën. U tmerrova. Kisha menduar që isha njëri prej 10 personave më të rëndësishëm në PDK, eventualisht në mesin e 15’ve, mirëpo që do të isha i 47’ti i rëndësishëm, këtë nuk e kisha menduar as në ëndërrat e mia më të errëta.

E di që në atë moment kam qënë shumë i gatshëm që të largohem. Kam qënë shumë i lumtur që të largohem, mirëpo nuk arrita që ta bëja këtë. Pasuan edhe dhjetëra biseda të tjera telefonike. M’i propozuan edhe plot numra të tjerë, të cilët po i refuzoja. U detyrova ta pranoj numrin 20, me të cilin u zgjodha deputet, pas plot peripecive. Historia e zgjedhjes time deputet kërkon më shumë kohë. Këtë do ta bëj një ditë tjetër. Mirëpo ballafaqimi me realitetin, me strukturat konzervative partiake, ndodhi ditën kur u bën listat për deputet. Nuk do ta pranoja, nuk e pranova asnjëherë, por oferta e parë që ma kishte bërë Limaj, e edhe Thaci, numri 47 në listë, ka qënë oferta e vërtetë. Unë arrita ta marrë numrin 20, të cilin nuk e meritova. Ajo cfarë mendoja unë për vete dhe ajo cfarë mendonte partia për mua, ishin shumë larg njëra tjetrës. Unë arrita ta fitoj një betejë, një numër, por nuk arrita ta fitoj betejën tjetër – për t’u shkrirë me PDK’në, për të gjetur vendin tim aty. Sepse nuk isha i gatshëm ta pranoj vendin tim të vërtetë.

Kjo është arsyeja përse sot e kësaj dite nuk jam në PDK. Pse u largova prej aty. Egoja ime ishte shumë më e madhe se sa e vërteta.

Kjo është këshilla ime për të gjithë ata që kanë aderuar këto ditë në parti politike.
Oferta e parë që do të të bëhet, është oferta e vërtetë. Ato që do t’i merrni pastaj me luftë, nuk do të arrini t’i gëzoni për shumë kohë