Adem Grabovci njofton: shumë shpejt seanca për zgjedhjen e Presidentit!

E publikuar: 11/02/2016 10:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës ka disa muaj që nuk është duke funksionuar normalisht për shkak të mospajtimeve pozitë-opozitë.

Edhe pse ka disa javë që ka filluar sesioni pranveror i Kuvendit, ky institucion nuk ka mbajtur asnjë seancë.

Përderisa pozita është duke insistuar për mbajtjen e seancave, opozita e bashkuar me këmbëngulje është deklaruar se nuk do ta lejojë mbajtjen e tyre deri në plotësimin e kërkesave opozitare.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka bërë të ditur për gazetën “Epoka e re” se Kryesia e Kuvendit të Kosovës shumë shpejt pritet ta thërrasë seancën për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës.

“Së shpejti do të takohet kryesia dhe do të marrë vendim se kur do të mbahet seanca. Ky vendim do të merret në përputhje me kërkesat që janë. Në seancën e cila do të mbahet së shpejti duhet të zgjedhet presidenti i vendit”, ka thënë Grabovci.

I pyetur nëse do të thirret seanca para apo pas datës 17 shkurt, Grabovci ka thënë se një gjë e tillë varet nga Kryesia e Kuvendit.

“E rëndësishme për ne është të mos lejojmë vakum institucional. Prandaj në kohën e duhur dhe në përputhje me të gjitha procedurat duhet të zgjedhet presidenti i ri”, ka thënë ai.