Adem Grabovci nesër intervistohet në Prokurorinë Speciale

E publikuar: 25/05/2017 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, nesër do të intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për aferën e përgjimeve të ashtuquajtur “Pronto 2”.

 Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com avokati i Grabovcit, Florent Latifaj.

“Ne kemi pranuar një ftesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe do t’i përgjigjemi ftesës. Nuk mund të japim më shumë informata lidhur me këtë rast”, tha Latifaj.Adem Grabovci, sipas kësaj Prokurorie, po hetohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje me personat e tjerë të paidentifikuar dhe për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Hetimet ndaj Grabovcit filluan pasi portali informativ “Insajderi” nisi t’i publikojë gjatë muajit gusht dhe në fillim të shtatorit të vitit të kaluar telefonatat e përgjuara, në të cilat Grabovci me zyrtarë të lartë të PDK-së e të shtetit dëgjoheshin të vendosnin mes tjerash kush të punësohej e kush jo nëpër borde të ndërmarrjeve publike.

Ai u intervistua nga kjo Prokurori edhe në gusht të vitit 2016./Express/