Adelina Ismaili: Bebushi im është këtu, tani gjithçka ka tjetër kuptim

E publikuar: 14/01/2017 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adelina Ismaili po kalon periudhën më unike të jetës së saj e detajet do i ndajë me ne, në një bisedë ekskluzive me revistawho.com.

Sigurisht që është e vështirë të mësohesh me idenë që një yll i skenës, një diva si ajo, që na ka lënë me gojë hapur që në ditën e parë në skenën e Festivalit të Këngës e më tej në çdo videoklip e shfaqje, sot përjeton atë që e quan emocionin më të bukur

. Më e ëmbël se kurrë, Adelina është indiferente për gjithçka ka lidhje me famën, sukseset, lajmet…

Tanimë i gjithë universi i artistes vërtitet rreth një jete të re.

Një bebe (që asaj i duket sikur e njeh pasi e ka parë në ëndërr) e ka ndryshuar përgjithmonë.

“E kam parë ëndërr që në fillim. Fëmija im ka kaçurrela të zeza, sy të rrumbullakët, faqe të kuqe dhe është shumë energjik. Dua që të ketë sytë dhe qetësinë e Valit e gjallërinë dhe buzëqeshjen time”.

Besojmë se kurrë më vonë ne nuk do të botojmë dot më një artikull si ky, sepse këto emocione do të mbeten për Adelina Ismailin të veçanta, të pazëvendësueshme.

Ashtu si dita kur mësoi lajmin e bukur e kur me burrin e jetës qanin e qeshnin të dy si të çmendur nga lumturia. “Vali e kishte humbur (qesh).

Nuk besonte. Ishte njeriu më i ëmbël në botë, ta shikoje në ato momente. Tani kur e kujtoj, si një fëmijë i vogël që i ke dhuruar gjithë botën”, – tregon e bukura Adelinë.

Prej atij çasti, mendojnë çdo ditë 3-4 emra pa zgjedhur ende asnjë, bëjnë plane dhe ëndërrojnë, i blejnë rroba, lexojnë si duhet të jenë dy prindër të rinj, madje nuk lënë jashtë vëmendjes as bestytnitë e gjysheve.

Veçanti si këto ne ju ftojmë t’i lexoni në këto rreshta, për të rinjohur një artiste të madhe e cila do të mbetet gjithnjë e tillë, por tani me një forcë tjetër.

Adelina si je?

Kanë kaluar kohë nga intervista jonë e fundit (megjithëse të kam lexuar e ndjekur kudo) dhe unë kam kaq shumë kuriozitete këtë herë, sa ka gjasa që të ripërsëritem në pyetje…

Je duke përjetuar atë që shumë zonja e quajnë periudhën më të bukur të jetës… Është vërtet kështu?

Si po e përjeton Adelina shtatzëninë?

Unë nuk njoh periudhë më të bukur në jetë. Të krijosh familje, nuk ka asgjë më të shenjtë për mua. Është vërtet një ndjesi hyjnore.

Nuk di ta përshkruaj, ose unë vërtet jam një femër me shumë fat. Asnjë mundim fizik siç më thonin, asnjë frikë apo mendim jo i mirë. Gjithçka është më bukur, më mirë, më ëmbël.

Të kesh hyjnoren në shpirt, kështu është.

A ka ndryshuar mendimi yt i parë dhe i fundit i ditës?

Po, përfundimisht. Nuk mund të mendoj asgjë tjetër kur zgjohem, përveç një kënaqësie të pafund kur më kujtohet që bebushi është këtu.

Çdo sekondë, çdo mendim gjatë ditës është i lidhur me të. Është hera e parë në jetë që më duket sikur gjërat e tjera janë shumë larg, shumë të parëndësishme.

Çdo lëvizje, çdo tingull, çdo frymëmarrje tani ka tjetër kuptim. Është ndryshe, shumë më bukur.

Mbrëmjet janë më të bukurat. Pasi kemi bërë të gjitha llastimet e mundura të ditës, lodhemi bashkë dhe që të tre i flasim njëri-tjetrit për gjërat e bukura që na presin.

Kur e mësove lajmin, cili ishte njeriu i parë që telefonove?

Valin, natyrisht. Pasi u sigurova mirë. Nuk mund të flisja, qaja nga gëzimi! Nuk mund të zbrisja një kat më poshtë ku ishte ai që t’i tregoja, e thërrisja të vinte tek unë lart. Nuk mbaj mend të jem gëzuar më shumë në jetë.

Si reagoi Vali dhe motrat?

Vali e kishte humbur (qesh). Nuk besonte. Ishte njeriu më i ëmbël në botë, ta shikoje në ato momente. Tani kur e kujtoj, si një fëmijë i vogël që i ke dhuruar gjithë botën. Nuk e kam parë ndonjëherë ashtu, qeshnim si të çmendur të dy. Pastaj heshtnim dhe fillonim përsëri. Ema ishte e para që i tregova, as atë nuk mbaj mend ta kem dëgjuar më të lumtur në jetën time. Flisnim pa kontroll që të dyja dhe qeshnim. Zani bërtiste andej “Oooh kush po bëhet maaaami?!” Nuk dija çfarë të flisja, nuk i kisha dëgjuar më të gëzuara ndonjëherë. Nuk dija çfarë të thoja, e kisha humbur dhe unë shumë. Gjë që s’më ka ndodhur gati asnjëherë (qesh). Qanim e qeshnim bashkë.

Sa kohë ke që e ëndërron një fëmijë?

Nganjëherë mendoj që kam lindur me atë dëshirë. Unë jam tip që pavarësisht trendeve momentale, asnjëherë nuk kam sakrifikuar vlerat e vërteta jetësore. Sado që kam kaluar gjëra sipërfaqësore, mbetem femër dhe shqiptare. Të qënurit femër tani e shoh si bekim nga Zoti.

Është zbuluar gjinia e fëmijës?

Po (qesh).

Vali the që është shumë entuziast…

Po, saqë nganjëhere e tepron. Ka miliona plane dhe ëndrra, besoj si çdo baba i ardhshëm. Unë vetëm dua ta shijoj momentin tim më të bukur. Në këtë pikë dallojmë pak, edhe pse nuk kam qenë e tillë.

A keni menduar për emrin?

Çdo ditë! Nga tre ose katër emra deri në mbrëmje. Dhe asnjëri deri tani nuk godet (qesh).

Keni nisur të shfletoni libra, të pyesni njerëz mbi sjelljet e një prindi të ri?

Kemi qenë të përgatitur, por tani më shumë se kurrë. Prej punimeve shkencore, deri tek bestytnitë e gjysheve (qesh).

I keni nisur blerjet për veshjet, dhomën?

Natyrisht! Jam unë ajo që blej më shumë veshje për bebin. Valit i kam lënë rregullimin e dhomës. Por prapë ai është më detajist, unë më spontane.

Si e përfytyron portretin e bebushit?

E kam parë në ëndërr që nga fillimi. Ka kaçurrela të zeza dhe është shumë beb energjik (qesh). Ka syçka të rrumbullakëta dhe faqe të kuqe.

Kujt do të doje t’i ngjante?

Përfundimisht Valit. Jo se nuk dua të më ngjajë mua, por jam shumë e sigurt që do të më ngjajë më shumë sesa duhet (qesh).

Çfarë dëshiron që të marrë prej teje dhe çfarë prej Valit?

Do doja të kishte sytë dhe qetësinë e Valit. Gjallërinë dhe buzëqeshjen time.