Action Bronson, shqiptari që po trondit botën e rap-it

E publikuar: 15/04/2015 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arian Asllani ose i njohur ndryshe në botën e artit dhe muzikës si Action Bronson i ardhur nga një familje shqiptare nga Queens, New York është emri më i ri në skenën e industrisë së muzikës botërore. I lindur dhe rritur në lagjen e famshme njujorkeze, ai nuk harron asnjëherë të kujtojë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Videoklipi i tij muzikor shfaq për një moment një banderolë të madhe “Albanian Awareness Week” (Java e Ndërgjegjësimit për Shqipërinë). I njohur edhe si një chef shumë origjinal, ai gjithmonë flet për ushqimet tradicionale e vendit të të atit, byrek, bakllava, me të cilat ai thotë se është rritur.

Karriera e Action Bronson ka nisur me pasionin e tij të parë, kuzhinën. Pak kohë më parë sesa ai të merrej seriozisht me industrinë e muzikës Rap, amerikanët e njihnin për emsionin e tij online “Action in the Kitchen”. Bronson ishte një chef gourmet i njohur në New York. Por pas një incidenti ku ai theu këmbën e tij, vendosi të përqendrohej vetëm me karrierën muzikore. Kështu në vitin 2011 ai nxjerr albumin e tij debutues, “Dr Lecter” i prodhuar tërësisht në New York. Albumi ishte prodhuar nën siglën e Warner Bros, gjigandit mediatik me famë botërore.

Por vetëm një vit më pas Bronson shënoi një tjetër arritje në karrierën e tij muzikore. Ai arriti të firmoste një marrëveshje me kompaninë e njohur, “Goliath Artists”, kompani e cila ka të vetët artistë si Eminem, The Alchemist dhe Blink 182. Fama e Bronson ka njohur vetëm rritje prej atij momenti. Kështu ai ka marrë pjesë në Festivalin e famshëm të Coachellas dhe është cilësuar nga revista XXL, prestigjiozja e komunitetit Hip-Hop, si artistët më premtues. Action Bronson ka arritur bashkëpunime me artistë të njohur si Raekwon, Wiz Khalifa dhe Prodigy. Ndërkohë producentët me të cilët ka bashkëpunuar janë emra të njohur të industrisë, si Eric Sermon, Mike Will Made It, DJ Mustard and Jahlil Beats, emra këta të cilët kanë formësuar muzikën Rap.

Vitin e shkuar shqiptari simpatik arriti të ishte në turneun e Eminem për Australinë dhe Zelandën e Re. Kjo periudhë rastisi edhe me rikthimin e tij tek dashuria tjetër e tij më e madhe, ushqimi. Shtëpia e tij diskografike, duke njohur pasionin e tij për ushqimin dhe të shkuarën e tij brilante në të, i dha mundësinë për të nisur një tjetër cikël web-emisionesh, të dedikuar për kulinarinë në New York, të titulluar “Fuck, That’s Delicious”./JAVA/