Acarimi i raporteve Kosovë-Shqipëri ndër vite

E publikuar: 21/11/2019 12:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skandali i fundit i kryeministri të Shqipërisë Edi Rama, i cili publikoi një hartë në të cilën territori i Kosovës shihet brenda kufijve të Serbisë duket se ka acaruar akoma më shumë marrëdhëniet në mes dy shteteve shqiptare.

Gjithçka nisi në Samitin e Berlinit.

Ishte pikërisht kërkesa për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, që u diskutua në Berlin dhe refuzimi i Haradinaj për ta hequr atë, që ka përplasur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Një polemikë në distancë u zhvillua nga dy kryeministrat për atë se çfarë u tha në Samitin e Berlinit dhe kush kujt i bëri presion që të pezullohet taksa.

Haradinaj, kishte thënë se në Berlin është përballur me presion të madh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

Por, këto deklarime të Haradinajt nuk i pëlqyen Edi Ramës. Ai i hodhi ato poshtë me një reagim të gjatë në profilin e tij social, në të cilin kritikonte Haradinajn dhe e quan deklarimin e tij të pavërtetë.

Pas kësaj, Haradinaj reagoi sërish. Pas një mbledhje të qeverisë së Kosovës ai tha se ”gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë”, sepse, sipas Haradinajt, kjo është edhe në interes kombëtar.

Asgjë nuk mbaroi këtu, takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor, pa Kosovën, për krijimin e një projekti Mini-Schengen sollën reagime të forta në vend.

Fillimisht Kosova nuk u ftua fare në këtë Samit. Ndërsa, në Samitin i cili i majtë në Ohër të Maqedonisë Veriore Kosova refuzoi të merrte pjesë.

Kësisoj, presidenti i vendit Hashim Thaçi refuzoi ftesën me arsyen se kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ky takim u bë cak i kritikave nga liderët kosovarë, të cilët këtë projekt e cilësuan si hap drejt një Jugosllavie të re.

I pari që reagoi ndaj këtij projekti ishte Kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili tha se projektet e tilla në shikim të parë duken atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë, pa Kroacinë dhe pa Slloveninë.

Reagime pati edhe nga liderët e tjerë kosovarë si dhe nga Shqipëria.

Ndërkohë ndaj krejt këtyre deklaratave ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili tha se ideja e Mini-Schengenit nuk është ta ndajë Ballkanin, por t’i bashkojë të gjitha vendet.

Ndërkohë, skandali i fundit i kryeministri të Shqipërisë Edi Rama, i cili publikoi një hartë në të cilën territori i Kosovës shihet brenda kufijve të Serbisë duket se ka acaruar akoma më shumë marrëdhëniet në mes dy shteteve shqiptare.

Veprimet e fundit të Ramës nuk do t’i kontribuonin marrëdhënieve në mes dy shteteve, përkundër Kosova dhe Shqipëria do të duhej të ishin model për shtetet e rajonit, kështu vlerësojnë analistet politikë në vend.

Analisti politike, Imer Mushkolaj duke folur për lajmi.net ka thënë se veprimet e tilla, nga cila do palë, nuk shkojnë në funksion të forcimit të raporteve mes dy shteteve duke pas parasysh se Kosova është shtet i pavarur njëjtë si Shqipëria.

“Natyrisht se veprime të tilla qoftë nga njëra palë qoftë nga tjetra nuk shkojnë në funksion të forcimit të raporteve mes dy shteteve duke pas parasysh se Kosova është shtet i pavarur njëjtë si Shqipëria. Dhe askush në Shqipëri nuk mundet më pas qasje pa paternaliste në kuptimin politikë as një ndonjë kuptim tjetër. Duket se eliata politike e dy vendeve, më së shumti elita politike në Shqipëri, konkretisht Kryeministri Rama, janë të interesuara për një qasje tjetër, janë të interesuar ndonjë herë edhe për çështje provokative të cilat nuk i bëjnë mirë këtyre raporteve, nuk i bëjnë mirë as Kosovës si shtet dhe sjellin situata të pakëndshme, të cilat pastaj vetëm sa po e sforcojnë edhe problematikën që vazhdon të ekzistoje në mes të dy shteteve në kuptimin e mos krijimit të marrëdhënieve të duhura”, ka thënë Mushkolaj.

Ai e sheh si të gabueshme që qasja e Shqipërisë ose Kosovës karshi njëra-tjetrës të ndryshoj varësisht nga emrat e përveçëm që vijnë ose shkojnë nga pushteti.

“Më shumë i shoh si çështje të interesit, mbase edhe të shëtiti që ai e udhëheq sesa që lidhet me ndërrimin e pushtetit në Kosovë. P.sh ne patëm situatën kur edhe Z. Thaçi ishte kritik për çështjen e Mini Schengenit karshi Z.Rama, por megjithatë ai dje u takua me Z.Rama. Pra këto deklaratat në fakt që duken së mund të jena konfliktuoze mes liderëve në Kosovë dhe Shqipëri sidomos mes Z.Rama dhe Z. Thaçi më tepër behën për konsum politikë se sa vërtet që janë të tilla. Por është e gabueshme që të mendohet se qasja e Shqipërisë ose Kosovës karshi njëra tjetrës të ndryshoj varësisht nga emrat e përveçëm që vijnë ose shkojnë nga pushteti”, ka thënë tutje Mushkolaj.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se Edi Rama po vepron në mënyrë naive në politiken ballkanikë.

Ai thotë se raportet e Kosovës me Edi Ramën i ka zbehur AAK-ja dhe LDK-ja, por tani edhe Vetëvendosje.

Sipas tij, Serbia përmes qëndrimeve të Edi Ramës po përçan faktorin shqiptar në Ballkan.

“Këto raporte duhet të koordinohen, Edi po vepron në mënyrë naive në politiken ballkanike. Kur dihet që Shqipëria ka obligime kushtetuese të mbroj interesin edhe kombëtar jo vetëm rajonal, përafrimi me Viçiqin për të bërë politik ballkanike është treguar konfuze me interesat kombëtare në Ballkan, Edi duhet gjithmonë të koordinohen me Kosovën për të mos dëmtuar interesa kombëtar. Raporte me Edin janë lëkundur në Kosovë, këto raporte me Edin i kanë zbehë LDK, AAK, po shpejt edhe me VV. Propozimet e çuditshme të panevojshme bëjnë probleme, Serbia përmes qëndrimeve të Edi Ramës po përçan faktorin shqiptar në Ballkan”, ka thënë Burjani/Express/