Absolutisht e sigurt, në qershor BE hap negociatat me Shqipërinë

E publikuar: 29/05/2018 15:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Spartak Ngjela

Dy janë morsat që do të shtypin deri në paqenie korrupsionin shqiptar dhe të korruptuarit e Shqipërisë: reforma në drejtësi dhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian. Janë që të dyja të lidhura me njëra-tjetrën, por krerët e mëdhenj të korrupsionit shqiptar nuk e kuptuan. Dhe nuk kishin sesi, sepse janë drejtuar nga dritëshkurtësia e mendimit të tyre korruptiv.

Reforma në Drejtësi tani e ka krijuar shtratin e vet juridik. I gjithë korpusi ligjor i reformës është gati për t’u aplikuar. Po hapja e negociatave? Hapja e negociatave me Bashkimin Europian është aspekti kryesor nxitës dhe aplikues i reformës në drejtësi. Kush mendon se negociatat nuk do të hapen në qershor, është mendjengushtë si Saliu dhe Rama, dhe i gjithë korrupsioni kryeministror shqiptar. Nëse nuk hapen negociatat me BE-në, nuk mund të ecë dot përpara Reforma në Drejtësi. Nëse nuk ecën reforma në Drejtësi, nuk shkulet dot nga Shqipëria Korrupsioni kryeministror Berisha-Rama. Nëse nuk shkulet Korrupsion i kryeministror shqiptar, Shqipëria shkon nga kundërshtarët e Uashingtonit dhe Berlinit. Atëherë, është shumë e thjeshtë: hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në qershor të këtij viti, është një gjë e sigurt.

Çfarë do sjellë realisht hapja e negociatave? Hapja e negociatave është skemë që BE e ka si metodë për të barazuar nivelet me kandidatët që duhet të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Kjo metodë është skemë investuese në lidhje me strukturimin e tregut sipas normave të tregut europian, dhe skemë investuese në lidhje me ristrukturimin institucional të shtetit aktual. Kuptohet që gjithçka lidhet me reformën në drejtësi. Por duhet theksuar se pikërisht këtu flitet për investime të mëdha që kapin disa miliardë euro. Sigurisht që për kontrollin e tyre menjëherë Brukseli cakton katër ose pesë këshilltarë kryesorë: këshilltarin e Kryeministrit, të ministrit të Financave, të ministrit të Ekonomisë dhe të ministrit të Bujqësisë, të ministrit të Brendshëm.

Por, pikërisht këtu është mbërthyer i gjithë ngërçi i korrupsionit kryeministror shqiptar, sepse në këtë formë kontrolli reforma në drejtësi nuk ka më asnjë shans që të ndalohet dot as nga Berisha dhe as nga Rama, se këta nuk do të kenë më asgjë në dorë. Kjo është arsyeja që tani hapja e negociatave me Bashkimin Europian është një gjë e sigurt. Kjo sepse vetë reforma në drejtësi është e strukturuar e gjitha ligjërisht dhe pritet vetëm implementimi i saj. Kurse, ky implementim është penguar nga korrupsioni kryeministror. Por, menjëherë pas hapjes së negociatave, korrupsioni kryeministror nuk do të ketë më asnjë gjë në dorë. Për faktin që BE nëpërmjet Brukselit dhe bankës së vet do të investojë në Shqipëri në treg dje në strukturën juridike të shtetit, në vetë marrëveshjen pas hapjes së negociatave, vendosen pikat e ndërhyrjes së autoritetit të kontrollit të Komisionit Europian. Një nga këto pika pritet të jetë implementimi i reformës në drejtësi, sepse dihet që vetë Brukseli ka marrë pjesë direkte në drejtimin e ligjeve të reformës, madje edhe të kushtetutës së Shqipërisë, të cilat tani janë të gjitha në fuqi. Madje kjo është arsyeja që politika e Brukselit dhe e Uashingtonit tani ndihet e qetë në lidhje me bëmat që vijon të bëjë korrupsion kryeministror shqiptar. Kjo është arsyeja politikë e cila hapjen e negociatave tani e konsideron një nevojë të domosdoshme edhe për Uashingtonin edhe për Berlinin e vetë Brukselin. Madje kjo është arsyeja që edhe ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë u emërua pikërisht personi që ka shkruar draftin e vetingut shqiptar. E pra, hapja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë do të bëhet në muajin qershor 2018 me një siguri absolute.

Asnjë forcë e brendshme në Shqipëri sot nuk ka fuqi të bëjë dot gjë kundër kësaj.