Abrashi: Nevojiten 800 milionë euro për ta stabilizuar tregun e Kosovës

E publikuar: 12/05/2020 11:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka propozuar një pako financiare për tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga izolimi për shkak të pandemisë COVID-19.

Abrashi ka thënë se të gjitha parashikimet tregojnë se pasojat ekonomike do të jenë të rënda kudo në botë, prandaj sipas tij duhet të veprohet sa më parë.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se Kosovës i duhen rreth 800 milionë euro për ta stabilizuar tregun në vend.

“Teoritë e ndryshme të shpërfaqura në media për kthimin e fuqishëm të virusit në vjeshtë, projeksionet e ndryshme për rënien ekonomike që do të pësojmë dhe reagimi i vonuar dhe i pamjaftueshëm me pakon emergjente ka ngritur ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët. Kjo do të reflektohet në sjelljen e tyre si konsumator, në hezitimin e tyre për të shpenzuar, investuar, e që edhe më shumë do ta rëndoj situatën ekonomike duke zvogëluar kërkesën agregate, qarkullimin e parasë, falimentimin e bizneseve dhe shtimin e numrit te papunëve në vend”, ka shkruar Abrashi, përcjell Telegrafi.