Abrashi: Nëse nuk ka marrëveshje për presidentin, zgjedhjet në janar

E publikuar: 13/12/2020 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëveshja e 4 shtatorit për normalizim ekonomik me Serbinë, e arritur në Uashington, do të zbatohet edhe pas ndërrimit të administratës amerikane.

Kështu po thotë ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili shton se për autostradën e “Paçes”, Besi-Merdare tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare në BERZh për financimin e ndërtimit dhe pritet të nis në pranverë.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Abrashi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse nuk ka dakordim të shpejt mes partive politike për emrin e presidentit, vendi do të shkon në zgjedhje në janar.

“LDK-ja ka një organizim të mirëfilltë nëpër degë dhe nëndegë nëpër komuna. Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetët pa president, pasi ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujorë, kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet por edhe problemet tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik”, thotë Abrashi.

Ministri Abrashi nuk beson se do të dështoi marrëveshja 16 pikeshe mes Kosovës e Serbisë e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, që parasheh një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Studimi i fizibilitetit në Liqenin e Ujmanit, si dhe futjen në “mini-Schengen”.

“Nuk e besoj. Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, diskutojmë për autostradën e “Paçes”, diskutojmë edhe për projektet sikurse hekurudhat. Deri më tani secili nivel politik qoftë zyrtarë të DFC-së në Uashington, kemi pasur takime virtuale. Kanë konfirmuar që marrëveshja do të mbetet si e tillë që të zbatohet. Janë duke punuar fuqishëm në zbatimin e asaj marrëveshje dhe projekteve”, thotë ai.

Ministri Abrashi beson se zotimi i marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington për projektet infrastrukturore ka një bashkëpunim dhe një qasje të përbashkët mjaft të mirë mes BERZH-it, Brukselit dhe Uashingtonit.

Për këtë arsye, sipas Abrashit edhe është bërë para dy dite kërkesa zyrtare në BERZh për financimin e projektit të autostradës.

“Dje(të enjten) Republika e Kosovës përmes Ministrisë së Financave ka bërë edhe zyrtarisht kërkesën drejt BERZH-it për financim të projektit të autostradës së “Paçes” përkatësisht rrugës Besi-Merdare…Besoj që në pranverë e finalizojmë marrëveshjen që pastaj të fillojnë edhe punimet. Krahas kësaj, ne paralelisht tani aplikojmë në këtë dritare që përmenda më herët për grante shtesë. Dhe ekziston mundësi që ta marrim deri 40 përqind grante. Ne do të aplikojmë edhe për projekte të tjera, është një mundësi e mirë për Kosovën, sepse ka mundësi të aplikimit për grante jo vetëm në infrastrukturë, por si ministri kemi përgatit një listë të gjatë të projekteve, por edhe në fusha të tjera”, thekson ai.

Për sfidën e radhës të Qeverisë pas Ligjit të rimëkëmbjes ekonomike, që është miratimi i Buxhetit 2021 në Kuvend, sekretari i partisë së Isa Mustafës thotë se rimëkëmbja ekonomike është e ndërlidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe për këtë ai beson se do të ketë mirëkuptim mes grupeve parlamentare për votimin e këtij projektbuxheti, që është 2 miliardë e 412 milionë euro.

“Ligji për rimëkëmbje është i ndërlidhur me projektligjin për Buxhetin 2021, prandaj besoj që do të ketë mirëkuptim mes grupeve parlamentare por gjithsesi qeveria të bisedoj me gjithsecilin në mënyrë që të kalohet edhe ligji i buxhetit që shkon përtej interesave partiake dhe qeveritare, sepse i duhet një stabilitet buxhetor dhe financiar për vitin e ardhshëm e posaçërisht tani kur kemi problemet dhe sfidat me stabilitetin e institucioneve pas janarit”, thotë ai.

Ministri i Infrastrukturës ka folur edhe projektin e autostradës së “Dukagjinit”, që sipas tij, ka një marrëveshje politike mes LDK e AAK.

Mirëpo, me buxhetin e vitin 2021 për këtë projekt janë paraparë vetëm 200 mijë euro.

“Kemi një marrëveshje politike të cilët ne si partner të koalicionit zotohemi se sipas mundësive buxhetore që për vitin e ardhshëm ne synojmë ta trajtojmë projektin, hartimi i projektit ka nisë më herët. Ministria ka obligim edhe ndaj kompanisë që ka hartuar projektin. Prandaj, mjetet të cilat janë ndarë dhe diskutimi për mjetet që janë ndarë ka të bëjë me një shumë prej 200 mijë euro për kompaninë. Por, me 200 mijë nuk mund të nis autostrada. Vetëm 200 mijë euro janë të ndara në kategorinë e rrugëve të reja për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. Në si ministri do ta shohim atë projekt ku do të ketë diskutime me kryetarë të komunave, me qytetarë, me grupe të tjera të interesit dhe të shohim nëse duhet apo të ketë revidim të atij projekti. Por, gjithsesi gjithçka verat prej financave, sepse për vitin e ardhshëm siç thash janë vetëm 200 mijë euro”, pohon Abrashi.

Kujtojmë se për realizimin e projektit të autostradës së “Dukagjinit”, ka qenë një ndër kushtet e AAK-së që të futet në koalicion qeverisës me LDK-në pas rrëzimit të Qeverisë Kurti./I.Shabani/

https://www.youtube.com/watch?v=GVV5Aw837qc&feature=youtu.be&fbclid=IwAR0sTj42FSQjHFRVWJa5LNRHyqr4sYAUQ3mSF-KC98LoV-j5vs7cd2BhMI4