Abrashi: Komuna e Prishtinës i ka 22 milionë euro të pashpenzuara për vitin 2018

E publikuar: 22/01/2019 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së Arban Abrashi ka thënë që Komuna e Prishtinës pritet që të ketë mbi 22 milionë euro mjete të pashpenzuara dhe parealizuara gjatë vitit 2018.

“Komuna e Prishtinës pritet që të ketë mbi 22 milionë euro mjete të pashpenuzara dhe parealizuara gjatë vitit 2018, po flasim për një dështim total në realizimin e projekteve të një rëndësie jetike për qytetarët si shkolla, qendra të mjekësisë familjare etj”, tha Abrashi në një konferencë për media të mbajtur me grupin e asamblistëve të LDK’së në Komunën e  Prishtinës.

Ai po ashtu përmendi edhe çështjen e shtrenjtimit të ushqimit që shërbehet në shkollat e Prishtinës. Ai ftoi kryetarin Ahmeti për sqarim publik dhe organet për hetimin e rastit.

“Mund ta përmendim edhe atë që mund ta quajmë skemë e mashtrimit që doli në sipërfaqe që ka të bëjë me përzgjedhjen e furnizimit të shkollave me ushqim. Dilema ka të bëjë me trefishimin e çmimit për të njëjtën sasi dhe të njëjtën meny. Ftojmë kryetarin për sqarim publik dhe organet kompetente të auditojnë e hetojnë rastin.”, deklaroi Abrashi, transmeton zeri.info.

Abrashi i konsideroi si dështime dorëheqjet e shkarkimet e drejtorëve ndërsa rritjen e drejtorive e cilësoi vendim të keq politik.