Abrashi i VV’së: Të gjitha opsionet e kundërshtimit të vendimit të GJK’së po i shqyrtojmë

E publikuar: 29/05/2020 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hapi rrugë formimit të Qeverisë së re me mandatar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po e kundërshton me ngulm Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë që kjo parti do ta kundërshtojë me të gjitha forcat këtë vendim.

“Vetëvendosje, duke i shqyrtuar edhe ekspertizat e mëherëshme, precedentët që kanë ndodhur në të kaluarën për këto raste, besojmë fuqishëm që zgjedhja nga kjo situatë politike e shkaktuar nga partitë e vjetra politike, bëhet vetëm duke iu rikthyer sovranit”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

“Kemi pasë të bëjmë me një situatë kur mocioni i qeverisë ka kaluar suksesshëm dhe është e ndershme për demokracinë e këtij vendi, që të ktheheshim në një situatë ku sovrani ta thotë fjalën e vet”.

“Vetëvendosje që nga shpallja e këtij vendimi të Kushtetueses, është duke mbajtur takime me të gjitha nivelet e strukturave të saj. Presim vendimin e Kryesisë se cilat do të jenë format tona të kundërshtimit”.

Abrashi ka thënë që kjo gjykatë e ka humbur kredibilitetin e saj dhe ky vendim për VV-në është i papranueshëm.

“Me vendimin e GJK ne jemi mjaft të shqetësuar. Na vjen shumë keq që kjo gjykatë e ka humbur kredibilitetin e saj, duke marrë vendime politike. Synimi i presidentit Thaçi së bashku me subjektet e vjetra politike, është që ta patentonjë pushtetin. Synimi  është të krijojë një anarki demokratike, në të ardhmen dhe cilido subjekt fitues që bëhet, atij t’i pamundësohet pushteti demokratik”, është shprehur Abrashi.