Abdixhiku ‘urdhër’ Komunës së Prishtinës për ta anuluar vendimin në lagjen në afërsi së Liqenit në Badovc

E publikuar: 22/02/2020 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ministria që drejton ai e ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës, mbështetur në Vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizmit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa dje, ministri Abdixhiku kishte marë vendim për anuluar tenderin 110 milionësh për ndërtimin e autostradës së Anamoravës.